Shendet

A duhet të bëhet vaksinimi për Covid-19 “i detyrueshëm”? Propozimet e ekspertëve

Rritja e rasteve të infektimeve nga varianti Delta dhe mbulesa e ulët vaksinale po bën që shumë vende të mendojnë se një zgjidhje e mirë do të jetë vaksinimi i detyrueshëm. Por si shihet kjo gjë nga ekspertët e shëndetit publik?
Laidon Shapo, mjeku shqiptar në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar në Londër shpjegon për Gazetasi.al se vaksinimi i detyruar krijon probleme etiko-ligjore (duke cenuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve).

Laidon Shapo

“Nuk funksionon në Shqipëri - as maskat nuk arritën të futen me detyrim në pik të pandemisë! Unë nuk jam për vaksinim te detyruar, por jam për vaksinim me dy doza për gjithë grup moshat dhe grup moshat me risk dhe punonjësit e shëndetësisë sidomos ata që punojnë ne linjat e para e të dyta të frontit“, shpjegon eksperti.
Ndërsa në këndvështrimin e mjekut Kita Sallabanda Diaz në vendin tonë duhet bërë një vaksinim i sforcuar për popullatën që është në shërbimet kritike, si mjekët, mësuesit, policët e punonjës të administratës shtetërore të të gjitha niveleve.

“Nuk mund të bëhet i detyruar, por të krijohen situata që t’i sforcojnë qytetarët të bëjnë vaksinat”, thotë Sallabanda, i cili shton gjithashtu që situata në Shqipëri duket e mirë.

Kita Sallabanda Diaz

Duke theksuar rëndësinë e vaksinimit, mjeku Shapo shpjegon se është thelbësore që qytetarët të marrin “një dozë booster” (të tretë kujtesë) tek ata që kanë marrë Sinovac në ato fillime të vaksinimit (shkurt/mars) rreth shtatorit pasi efektshmëria e kësaj vaksine ka nevojë për “rifreskim”.
“Sa më lart, marrin për bazë dhe një analize paraprake por të pa dokumentuar plotësisht që në Shqipëri ekziston një nivel relativisht i lartë i imunitetit kolektiv (të paktën tek 50%) dhe tek ata që kanë kaluar infeksionin me PCR pozitiv dhe simptomatogji një dozë Pfizer/OAZ do mjaftonte”, shpjegon eksperti.
Çështja e vaksinimit në vetë vete dhe më pas i vaksinimit të detyrueshëm ka qenë një problematike e madhe për mjekësinë për vite me radhë. Në disa vende vaksinimi në rastin më të mirë konsiderohet si i panevojshëm, sepse ka shumë individë që vaksinimin e konsiderojnë të rrezikshëm.

Gani Abazi

Doktor Gani Abazi, ekspert i shëndetit publik në Universitetin e Harvardit, tha për Gazetasi.al se
vaksinimi i detyruar është një masë që prezenton shkelje të të drejtave të njeriut dhe nuk aplikohet në asnje vend demokratik të botës.
Doktori shpjegon se në vend të kesaj, duhet të punohet në edukimin e popullatës në benefitet e vaksinës dhe në këtë formë vaksinimi të jetë në baza vullnetare.

"Ndërkohë që vaksinimi duhet të jetë vullnetar, masat e caktuara të shëndetësisë mund të e kushtëzojnë qasjen e qytetarëve në vende publike dhe në sherbime të caktuara, me vaksinimin e plotë. Në këtë formë, vaksinimi bëhet prioritet për qytetaret, që ata të kenë qasje në sherbime publike dhe ata me vullnetin e lirë të deshirojnë të vaksinohen. E gjithë kjo duhet të shoqerohet me infrastrukturen e nevojshme, posedimin e dozave të vaksinave dhe praninë e personelit të nevojshem, që të bëhet vaksinimi," shton Doktor Abazi.

Një vit pas shpërthimit të pandemisë së virusit COVID-19, jeta e miliona njerëzve varet nga vaksinimi kundër tij, por njësoj si në vendet e tjera edhe Shqipëria “po vuan” nga fakti se popullata nuk pranon të vaksinohet.
Qysh prej fillimit të pandemisë dhe deri më tani kundërshtimet dhe teoritë konspirative për vaksinimin kanë qenë prezente. Në fillim të pandemisë revista mjekësore “Lancet” raportoi një studim se kompanitë e rrjeteve sociale, duhet të mbajnë përgjegjësi për lejimin e veprimtarisë dhe propagandës së lëvizjes kundër vaksinave. Asokohe autorët e raportit vunë në duke se llogaritë e rrjeteve sociale të të ashtuquajturve kundërshtarë të vaksinave, e kanë rritur ndjekjen e tyre me të paktën 7 milionë njerëz që nga viti 2019. Sipas autorëve përhapja e mosbesimit publik, rrezikon të sabotojë luftën kundër Covid-19, e cila varet në një pjesë të madhe nga vaksinimi i shumicës së popullsisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë