Sport

Luiza Gega nga Tokio: Masa ekstreme, si po përshtatemi me kushtet, gjumin dhe klimën

Nga Fatjon Rupi - Masa ekstreme për t’u ruajtur nga infektimi me Covid-19, maskë dhe tampon çdo ditë, adoptim me orarin e gjumit dhe ushqimin, si dhe me ajrin e lagësht të Tokios. Janë këto vështirësitë, me të cilat janë përballur sportistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Luiza Gega, atletja që garon në 3000 metra me pengesa, tregon nga Tokio për Gazeta Si atmosferën që ka gjetur në fshatin olimpik. Ajo thekson se masat janë vërtet ekstreme, por kjo situatë ishte e pritshme dhe se ajo dhe çdo sportist mundohen të gjejnë motivimin për qëllimin final: arritjen e objektivit në garë.

Luiza Gega duke kryer testin e perditshem. Gazeta Si, 22 korrik 2021

“Udhëtimi na shkoi mirë, edhe pse ishte shumë i gjatë, - e nis rëfimin e saj për Gazeta Si atletja Luiza Gega. – Komiteti Olimpik na akomodoi në hotelin e aeroportit, sepse duhej të prisnim 13 orë për t’u nisur për në Japoni. Sigurisht, kur erdhëm, nuk kishim parë ndonjëherë masa kaq strikte, por i prisnim. Organizatorët na kishin paralajmëruar për atë që na priste”.

Më tej atletja tregon me detaje se cila është pjesa më e vështirë për sportistët në fshatin olimpik: “Më e vështira ka të bëjë me faktin se duhet të ruhesh në maksimum për të mos u infektuar, sepse përveç të gjithash, ty të penalizon nga objektivi për të cilin ke ardhur, nuk të lejon të garosh, çka do të ishte një goditje shumë e rëndë për këdo”.

Delegacioni shqiptar duke darkuar ne fshatin olimpik. Gazeta Si, 22 korrik 2021

Gega pranon se rritja e numrit të sportistëve që dalin pozitivë është shqetësues. “Po, frika është, sepse fakti që numrat po rriten është shqetëuses. Të bën të trembesh pak dhe të jesh më e kujdesshme. Gjithë kohën me maskë. Janë marrë disa masa dhe problem është kur ne duhet të ushqehemi, pavarësisht se nuk kemi kontakt me njëri tjetrin, sepse vendet ku ne ulemi, janë ndarë me xham. Sportistët janë të detyruar të rrinë me maskë, por frika mbetet gjithsesi.”

Për Luiza Gegën, një tjetër problem është se aktualisht nuk ka ku të stërvitet. “Për momentin nuk kam një vend ku të stërvitem, sepse ceremonia e hapjes bëhet në stadiumin olimpik dhe ai do të jetë gati më 25 korrik për sportistët, që të shkojnë dhe të stërviten. Tani nuk kam një vend specifik për stërvitje, mundohem të bëj palestër dhe t vrapoj rreth parkut. Gjithsesi, gjërat po shkojnë mirë dhe shpresoj që kështu të jetë deri në fund”.

Delegacioni shqiptar do të plotësohet nesër me presidentin e Atletikës dhe atletin Izmir Smajlaj. Të gjithë sportistët shqiptarë janë në një kat. Luiza Gega është famurmabjtëse e delegacionit shqiptar, bashkë me peshëngritësin Briken Calja.

Flamuri shqiptar ne Tokio. Gazeta Si, 22 korrik 2021

“Presim ceremoninë, që sigurisht nuk do të jetë në një atnosferë siç duhej të ishte, pasi mungon publiku. Por përsëri mirë, sepse mund të ndodhte që Olimpiada të anulohej dhe për sportistët që kanë kohë që stërviten, do të ishte një goditje shumë e madhe. Po mundohemm të gjej motivimin për të marrë më të mirën e këtyre Lojërave Olimpike”, - shprehet atletja e garave të gjata.

Çfarë bën më tepër përshtypje nga atrmosfera në fshatin olimpik? “Deri tani, përveç masave, asgjë tjetër. Duhet të mësohemi me maskë gjithë kohën, përveç vendeve të stërvitjes, pastaj tampon çdo ditë. Kur të shkoj në stadium, do ta ndjej më shumë pjesën që më mungon dhe do të jetë një motivim ndryshe. Ah, ajo që është ndryshe dhe jo e mirë lidhet me faktin se nuk mund të shkojmë në gara dhe të bëjmë tifo për njëri-tjetrin, sepse nuk lejohet”, - thotë Gega.

Gega dhe Calja, flamurmbajtesit e Shqiperise ne Olimpiade. Gazeta Si, 22 korrik 2021

Për atleten shqiptare, që ka marrë pjesë në shumë evente sportive ndërkombëtare, në Japoni është problem edhe klima. “Për mua është problem edhe klima, sepse është ajri me shumë lagështirë. Prandaj erdha edhe përpara, që të përshtatem me klimën. Edhe orari i gjumit është pak problem, sepse jam natyrë që e kam pak të vështirë këtë pjesë”.

Luiza Gega do të garojë më 1 gusht në 3000 mijë metra me pengesa dhe nëse kualifikohet për në finale, që është edhe objektivi i saj, do të garojë më 4 gusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë