Gjatë muajit qershor 2021 tregtia e jashtme e mallrave është përmirësuar ndjeshëm në raport vjetor dhe me muajin paraardhës. Eksport-importet arkëtuan në arkë 102 miliardë lekë brenda një muaji.
Eksportet e mallrave arritën vlerën e 35 mld lekëve me rritje 6.1% krahasuar me majin. Në raport me qershorin 2021 rritja matet 50.8%.
Importet e mallrave gjatë të njëjtit muaj kapën vlerën e 67 miliardë lekëve, me rritje 8.4% nga muaji paraardhës. Në raport vjetor, rritja e importeve rezulton 28.9%.
Deficiti tregtar i qershorit 2021 është 32 mld lekë, duke u rritur me 11.4%, krahasuar me Qershor 2020 dhe me 11.1%, në krahasim me Maj 2021.
Në gjashtëmujorin e parë 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 177 mld lekë, duke u rritur me 40.9%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 354 mld lekë, duke u rritur me 305%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 178 mld lekë, duke u rritur me 21.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.
Në rritjen e eksporteve kanë kontribuar pozitivisht grupet e minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike me 20%, materiale ndërtimi dhe metale me 14.9% dhe tekstile dhe këpucë me 4.8%.
Ndërsa grupi lëkurë dhe artikuj prej tyre ka ndikuar negativisht me -0.3%.
Grupi me rritjen më të madhe vjetore është ai i materialeve të ndërtimit dhe metaleve me 13.9%. Sipas njohësve të fushës, kjo lidhet me rritjen botërore të vlerës së materialeve të ndërtimit dhe marrëdhënien që ka Shqipëria me këto tregje.
Në rritjen e importit kontributin më të madh e ka dhënë grupi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit me 8%. Materiale ndërtimi dhe metale me 4.9%.
Nga qershori 2020 në qershorin 2021 rritjen më të madhe e ka pasur grupi i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit me 9.8.
Sipas vendeve partnere, Shqipëria ka shënuar rritje të eksporteve më së shumti me Greqinë 115.3%, Kosovën 49.1% dhe Italinë 28.9. Ndërkohë ka reduktuar eksportet me Mbretërinë e Bashkuar dhe Ukrainën.
Importi i produkteve për Shqipërinë është rritur më së shumti me Turqinë 70.3%, që prej disa vitesh drejton trendin importues të mallrave në vendin tonë, pasuar nga Kina me 19%. Italia që dikur ishte vendi kryesor për importet në vend tashmë renditet e treta me rritje 16.7%. Importet me shtetin grek kanë pësuar ulje me 0.8%.
Në Qershor 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 70% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54.9% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia 29.4%, Turqia 9.2%, Greqia 6.9% dhe Gjermania 6.6%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.