Treg

Ndërtuesit: Në fakt, çmimet e materialeve të ndërtimit janë rritur. Si ndikon te blerësit

Shifrat zyrtare të INSTAT për lëndët e ndërtimit tregojnë se ato nuk janë shtrenjtuar, duke sugjeruar që rritja galopante e metrit katror në Shqipëri nuk u atribuohet atyre. Por ndryshe nga institucionet, në Shoqatën e Ndërtuesve të Shqipërisë shprehen se rritja e çmimeve në tregun ndërkombëtar të materialeve të ndërtimit është pasqyruar prej kohësh edhe në Shqipëri.

Analizat nga Europa tregojnë se çmimi i materialeve të ndërtimit nga çimento, hekuri dhe lëndët drusore është rritur me mbi 50% që nga nisja e vitit 2021, në pritje për t’u rritur përsëri. Ekspertët ndërkombëtarë ia atribuojnë këtë rritje stimulit monetar dhe shpenzimeve të mëdha konsumatore. I njëjti proces po ndodh edhe në Shqipëri, ku treguesit e inflacionit flasin indirekt për një rritje të shpenzimeve konsumatore.

Ilir Hebovija, përfaqësues nga Shoqata e Ndërtuesëve të Shqipërisë

“Shqipëria ka marrëdhënie me tregjet ndërkombëtare dhe rritja e çmimeve atje transferohet edhe në Shqipëri. Po të shohësh faturat e sektorit të ndërtimit sheh që kanë rritje të vazhdueshme nga viti në vit, madje dhe me disafish”, shprehet Ilir Hebovija nga Shoqata e Ndërtuesëve të Shqipërisë.

Ai shton se rritja e çmimeve është fakt real dhe ka qenë faktor ndikues në kostot e ndërtimit dhe gjithashtu në vlerën e banesave dhe sipërfaqeve të ndërtuara kur shiten apo jepen me qira. Faktor tjetër ka qenë edhe kriza nga pandemia.

“Ka gjithashtu një reflektim të rritjes së kostos së ndërtimit për shkak të rritjes së taksave nga pushteti vendor dhe e gjitha kjo, pasqyrohet tek blerësi fundor. Pavarësisht se ka pasur ndërtime për turizmin dhe për programin e rindërtimit nga tërmeti, ai që e vuan në kurriz është konsumatori”, thotë përfaqësuesi i SHNSH-së.

LEXO EDHE:
- Çmimet e ndërtesave po rriten, por jo të materialeve të ndërtimit
- Metalet dhe materialet e ndërtimit vijojnë rritjen. Shqipëria ende e pa prekur

Pikërisht rritja e lëndëve parësore është nisja e trendit rritës të çmimeve në materialet e ndërtimit dhe jo vetëm politikat financiare të kompanive ndërtuese.

Për z.Hebovija, rritja e çmimeve nuk është pozitive për asnjë ekonomi sepse konsumatori stepet të shpenzojë për produktin final dhe duke marrë parasysh se jo të gjitha materialet e ndërtimit në vend nuk prodhohen po këtu, nuk është pozitive as për ekonominë.

Lëndët e ndërtimit me çmim të rritur që importohen, rrisin kostot fillestare duke rënduar më shumë kompanitë dhe vetë sektorin.

Përfaqësuesi i SHNSH-së parashikon produktivitet për gjatë 2 viteve të ardhshme, pasi Shqipëria ka projekte të mëdha për ndërtimin, në turizëm, rrugë, programin e rindërtimit dhe të ndërtuesve privatë sepse nevoja e konsumatorit është në rritje.

Krahas me të, do të rriten edhe më çmimet e banesave.

Sipas Bankës së Shqipërisë rritja mesatare vjetore e çmimeve të pasurive të paluajtshme për vitin 2020 ishte 11.3% dhe për 5 vitet e fundit, mbi 30% rritje.

Ndërtimi zuri vendin e dytë për peshën në ekonomi gjatë tremujorit të parë 2021, pas sektorit energjitik. Në mbështetje të kësaj shifre është edhe numri i lejeve të ndërtimit, ku për të njëjtën periudhë u dhanë 251 leje, 95% e të cilave ishte për ndërtimin e pallateve. Vlera e këtyre lejeve për ndërtesa dhe punime inxhinierike shkon në afërsisht 26.6 miliardë lekë.

Në Shqipëri dhe jo vetëm, ndërtimi qe një ndër pak sektorë që nuk e vuajtën pandeminë, madje e patën vit më të mirë se zakonisht. Për ekspertët europianë, përfshirja dhe ndikimi i këtij sektori është aq i gjerë dhe i drejtpërdrejtë në jetët tona saqë në fakt, rritja e çmimit të bakrit apo tullave do të rrisë edhe çmimin e një sanduiçi.

Banka e Shqipërisë raporton se për 4 muajt e parë të këtij viti, kredia për ndërtimin u rrit me pothuajse 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Gjatë gjithë vitit të shkuar, në vend, vlera e lejeve për ndërtesa, përfshi rikonstruksione, ishte rreth 77 miliardë lekë.

Nga të ardhurat që arkëtohen nga ky sektor, duket qartë pesha që ka në performancën ekonomike të vendit, por përsëri pagat e punonjësve në të mbeten nën mesataren e Europës dhe më të ulëta se vendet e tjera të rajonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë