Lajme

“Teatri”, PD përsërit thirrjen ndaj SPAK: Të arrestohet Erion Veliaj

Prej tre ditësh, Partia Demokratike këmbëngul në kërkesën e saj drejtuar SPAK-ut që të veprojë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe hapi i parë, sipas selisë blu, është arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Kërkesën këtë të diel e përsëriti Çlirim Gjata.

“Autorët e këtij krimi të rëndë kushtetutes dhe ligjor, me pasoja të rënda për interesin publik duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë. Ndaj sot Partia Demokratike i bën përsëri thirrje SPAK të arrestojë sa më parë Erion Veliajn si autorin dhe përgjegjësin direkt për shkatërrimin e një pasurie kombëtare, në kundërshtim me Kushtetuën dhe ligjet e vendit”, tha Gjata.

Sipas PD, shfuqizimi i ligjit special dhe VKM-së që i kalon pronësinë Bashkisë Tiranë, bën nul dhe antikushtetues çdo veprim të kryer nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet e tjera të përfshira, që thotë se përfituan nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe shembën barbarisht Teatrin Kombëtar.

“Këto veprime antikushtetuese, që nuk u ndalën përpara kërkesave të artistëve dhe qytetarëve, madje as përballë autoriteteve ndërkombëtare në fushën e trashëgimisë kulturore, si Europa Nostra, që e renditën Teatrin si objektin më të rrezikuar në Europë, përbëjnë provën më flagrante për abuzimin me pushtetin nga Edi Rama dhe Erion Veliaj”, vijoi Gjata.

Kërkesën për arrestimin e Veliajt PD e ka bërë në ditët e fundit me deklaratat e Enkelejd Alibeaj dhe Albana Vokshit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë