Ekonomi

Administrimi i ri i taksave, eksperti: Kosto e lartë e panevojshme

Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kanë deklaruar se do të çelin më 17 shtator, pas 10 ditësh një tender me vlerë 1.8 miliard lekë ose 15 milionë euro, për një sistem të ri të administrimit të taksave dhe me një sistem të ri kasash.

Kjo ka shqetësuar ekspertin kontabël dhe fiskalistin Agim Binaj, i cili i është drejtuar Kryeministrit Rama me një letër të hapur në të cilën kundërshton këtë tender me kosto të jashtëzakonshme për buxhetin e shtetit sipas tij, duke kërkuar që sistemi aktual të zhvillohet me module të reja me kosto 5 herë më pak.

Sipas ekspertit Binaj, aktualisht sot kemi një sistem që u ka kushtuar tatimpaguesve shqiptarë rreth 16 milionë euro. Dhe ky sistem “c@ts” që është në përdorim prej 3-4 vjetësh, ka probleme, sidomos në transmetimin e të dhënave, kasave fiskale, menaxhimin e xhirove, serverin e të tjera.

Eksperti Binaj mendon që me një kosto më të ulët rreth 5 herë më pak, pra rreth 3 milionë euro, sistemi aktual mund përmirësohet. “Asnjë soft sot në botë nuk është ideal,por ai analizohet, përcaktohen difektet, anët pozitive dhe negative dhe në bashkëpunim me ekspert IT-i dhe ekspert kontabël e fiskalist, zhvillohet”, citon ai në letrën e hapur.

Sipas Binaj, defekti nuk qëndron tek sistemi aktual, por tek kasat, të cilat nga firmat që i kanë shitur nuk janë ato të duhurat. “Mendoni që janë mbi 200 mijë kasa në treg, një subjekt mund të ketë 40 apo 50 kasa që duhen ndërruar, me kosto 300-400 Euro, i thonë 60 milionë apo 80 milionë euro, nuk janë pak. Këtu nuk del përgjegjësia për kontrata e lidhur me këto firma, të dhënat që duhet të ketë një kasë që të realizojë informacionin e kërkuar, sistemin e transmentimit të tyre etj.

“A nuk do të ishte mirë që kasa në çdo biznes të ishte monopol shteti, pra një mjet i rëndësishëm kontrolli?”, thotë ai.

Fiskalisti Binaj thekson në letrën e tij se luftën kundër evazionit nuk e bën sistemi, sado i sofistikuar qoftë, sepse ai që është munduar të mos i bjerë kasës, përsëri s’do t’i bjerë edhe me sistemin e ri.

Ai sugjeron se lufta kundër evazionit fiskal kërkon reforma rrënjësore dhe një sistem të integruar Doganë-Tatime-QKR apo QKB e ndonjë tjetër:

Për Binaj, së pari: Diferencimi i TVSH, për artikujt ushqimor të nevojës së parë, shërbimet, restorantit etj. ajo të jetë 5-6%, siç e kanë dhe vende të tjera Maqedonia,Kosova,Gjrmania etj..

Së dyti: Heqja e fashës 2 milion, të gjithë subjekte të TVSH-së edhe me 1 lek xhiro, por me TVSH të diferencuar, do të ulen çmimet,do të rritet konsumi, do të rriten të ardhurat.

Ai sqaron se 70% e TVSH-së arkëtohet në doganë, ndërsa vetëm 30% e TVSH-së arkëtohet nga vlera e shtuar. “Kjo s’është normale. TVSH-ja nuk është taksë doganore, është tatim mbi vlerën e shtuar dhe si e tillë duhet të tatohet kur shtohet vlera.Vetëm nga një llogaritje e thjeshtë me vlerën e importeve rreth 4 miljard Euro,duke llogaritur vlerën e shtuar, p.sh. 1.5 herë apo 2 herë, shteti nuk arkëton rreth 800 milion Euro. Si t’i vemë në efiçencë këto vlera? Sot janë jashtë skemës së TVSH-së rreth 60-70 mijë biznese.”

Gjithashtu thotë ai, “duhet të përdorim dhe skema stimuluese, si kthim mbrapsht të TVSH-së, 5-6% të saj, për ta bërë të interesuar konsumatorin të tërheqë kuponin si Maqedonia, Mali in Zi, Kroacia e Çekia. Llogarisni rreth 600 mijë pensionistë apo dhe të tjerë, se çfarë ndikimi do të ketë.

Në përgjigjje të tij, Ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj ka deklaruar:

Synimi i projektit për të cilin do të çelet tenderi është modernizimi dhe përmirësimi rrënjësor i sistemit aktual të raportimit të transaksioneve, një sistem i cili nuk prek sistemin tatimor c@ts, (të cilin Binaj pretendon se ka probleme, por mund të rregullohet me kosto të ulët) me një investim prej 10 milion euro. Kjo sipas Ahmetaj bëhet për të rritur efikasitetin në luftën ndaj evazionit dhe informalitetit. Ahmetaj sqaron se me procedurën e re të shpallur, kërkohet ndërtimi i një sistemi monitorimi transaksionesh i cili do të ndërveprojë me sistemin c@ts si dhe krijimi për herë të parë i komunikimit në kohë reale si të transaksioneve ndërmjet biznesit dhe konsumatorit (B to C) ashtu edhe të biznesit me biznesin (B to B) .

Ahmetaj në përgjigjen e tij nuk e konsideron kosto të lartë investimin në fjalë kur sipas tij bëhet fjalë për rritje kapacitetesh të organeve fiskale në luftën ndaj evazionit dhe informalitetit sepse sipas tij është domosdoshmëri.

“Një pjesë e propozimeve tuaja janë me një natyrë fiskale dhe aplikimi i tyre (si rasti i përshkallëzimit të TVSH) do të ishte më i mundshëm nëse administrata i ka mjetet për të kontrolluar me efikasitet zinxhirin e transaksionit (për të cilën ju propozoni aplikimin e pragut 0 për deklarimin e TVSH). Projekt i propozuar ka një potencial të lartë pikërisht në ndjekjen e zinxhirit të vlerës së qarkullimit dhe është për këtë arsye që ne kërkojmë të zbatojmë atë sa më parë. Aplikimi i plotë i tij do të rrisë fleksibilitetin e politikave fiskale duke ulur riskun e administrimit.”, shprehet Ahmetaj në përgjigjen e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë