Ministria e Financave ka propozuar aktin normativ për heqjen e gjobave të fiskalizimit deri më 31 dhjetor 2021.
Ky propozim lidhur me bizneset, do t’i “lirojë” ato nga presioni i afateve kohore për tu bërë pjesë e fiskalizimit. Më 1 korrik për bizneset nis faza e dytë për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, ku pritet të përfshihen 51 mijë subjekte.
Më datë 1 shtator nis faza e tretë, procesi përfshin transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit.
Në relacionin shoqërues të dokumentit thuhet se MFE dhe Drejtoria e Tatimeve ngritën këtë propozim duke patur parasysh vështirësitë gjatë pandemisë. Një penalitet si gjoba apo mbyllja e aktivitetit do ta dëmtonte akoma më shumë komunitetin e biznesit.
Më herët Shoqata e biznesit ka kërkuar shtyrjen e afatit të zbatimit për fiskalizimin.
Me këtë propozim synohet rritja e efektivitetit të procesit të fiskalizimit, duke e bërë sa më të thjeshtë për komunitetin e biznesit dhe duke mos pasur si qëllim penalizimin e tyre. Mbështetja e komunitetit të biznesit në përshtatjen sa më të shpejtë dhe sa më të mirë me këtë sistem/proces të ri të fiskalizimit, i cili mundëson një metodologji raportimi në kohë reale ndërmjet Administratës Tatimore dhe Tatimpaguesve.
“Dënimet administrative të parashikuara në nenin 122 “Shkeljet për mos regjistrimin e të dhënave të subjekteve që lëshojnë fatura”, nenin 123 “Shkeljet për mos lëshimin e faturave dhe të faturave shoqëruese”, nenin 124 “Shkeljet në procedurën e fiskalizimit të faturave dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, nenin 124/2 “Shkeljet në procedurën e lëshimit, dërgimit dhe pranimit të e-Faturës”, nenin 125 “Mos marrja e faturës”, nenin 128/1 “Dënime të tjera” dhe në shkronjën d), të nenit 129 “Dënimet për tatimpaguesit, që janë banka apo institucione financiare”, nuk aplikohen deri më 31 dhjetor 2021”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.