Taksa

MFE propozon që bizneset të mos penalizohen për fiskalizmin gjatë gjithë 2021-shit

Ministria e Financave ka propozuar aktin normativ për heqjen e gjobave të fiskalizimit deri më 31 dhjetor 2021.

Ky propozim lidhur me bizneset, do t’i “lirojë” ato nga presioni i afateve kohore për tu bërë pjesë e fiskalizimit. Më 1 korrik për bizneset nis faza  e dytë për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, ku pritet të përfshihen 51 mijë subjekte.

Më datë 1 shtator nis faza e tretë, procesi përfshin transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit.

Në relacionin shoqërues të dokumentit thuhet se MFE dhe Drejtoria  e Tatimeve ngritën këtë propozim duke patur parasysh vështirësitë gjatë pandemisë. Një penalitet si gjoba apo mbyllja e aktivitetit do ta dëmtonte akoma më shumë komunitetin e biznesit.

Më herët Shoqata e biznesit ka kërkuar shtyrjen e afatit të zbatimit për fiskalizimin.

Me këtë propozim synohet rritja e efektivitetit të procesit të fiskalizimit, duke e bërë sa më të thjeshtë për komunitetin e biznesit dhe duke mos pasur si qëllim penalizimin e tyre. Mbështetja e komunitetit të biznesit në përshtatjen sa më të shpejtë dhe sa më të mirë me këtë sistem/proces të ri të fiskalizimit, i cili mundëson një metodologji raportimi në kohë reale ndërmjet Administratës Tatimore dhe Tatimpaguesve.

“Dënimet administrative të parashikuara në nenin 122 “Shkeljet për mos regjistrimin e të dhënave të subjekteve që lëshojnë fatura”, nenin 123 “Shkeljet për mos lëshimin e faturave dhe të faturave shoqëruese”, nenin 124 “Shkeljet në procedurën e fiskalizimit të faturave dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, nenin 124/2 “Shkeljet në procedurën e lëshimit, dërgimit dhe pranimit të e-Faturës”, nenin 125 “Mos marrja e faturës”, nenin 128/1 “Dënime të tjera” dhe në shkronjën d), të nenit 129 “Dënimet për tatimpaguesit, që janë banka apo institucione financiare”, nuk aplikohen deri më 31 dhjetor 2021”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë