Dosje

Biznese, toka dhe makina, konfiskohen pasuritë e Moisi Habilajt dhe familjarëve të tij

Pasuri me vlerë prej 82 milionë lekësh i janë konfiksuar Moisi Habilajt dhe familjarëve të tij, të akuzuar për grup kriminal dhe trafik droge nga Shqipëria në Itali.

Bëhet fjalë për 22 pasuri të sekuestruara nga Gjykata e Posaçme, që i përkasin Moisi Habilajt, vëllait të tij Florian Habilajt dhe familjarëve të tyre. Disa prona të tjera, figurojnë në emër të Artan Habilajt, Ciko Habilajt, Zenepe Habilajt dhe Klementina Habilajt.

Konkretisht janë konfiskuar apartamente, toka dhe makina, ndërkohë që është kërkuar konfiskimi i disa pronave të cilat janë në proces legalizimi.

Sipas SPAK, pasuria e konfiskuar, kap vlerën e 82.440 285 (tetëdhjetë e dy milionë e katërqind e dyzet mijë e dyqind e tetëdhjetë e pesë) lekë të reja, të ndodhura në Vlorë.

Në 18 maj 2021, GJKKO dënoi me 37 vite burg në total grupin "Habilaj", të akuzuar për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal. Me 10 vite burg, Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar, e dënoi Moisi Habilajn, i cilësuar si kreu i grupit kriminal.

Ai u shpall fajtor për veprat penale “trafikim i lëndëve narkotike e mbetur në tentativë e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, për të cilën është dënuar me 12 vite burg, si dhe grup të strukturuar kriminal, ku është dënuar me 4 vite".

Me uljen e dënimit, sipas kodit të procedurës penale, Habilaj u dënua përfundimisht me 10 vite burg. Fajtorë për të njëjtat akuza, janë shpallur edhe Nazer Seiti, Maridian Sulaj dhe Fatmir Minaj, të cilët me uljen e dënimit janë dënuar përfundimisht me nga 9 vite burg.

Megjithatë, Habilaj vijon të jetë në arrati, pasi ka thyer masën e sigurisë me “arrest shtëpie” në Katania, duke u arratisur në fund të vitit të shkuar. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe mediat italiane raportojnë se Habilaj dyshohet se fshihet në Shqipëri.

Grupi i drejtuar nga vëllezërit Habilaj ka trafikuar nga brigjet shqiptare drejt atyre italiane rreth 300 mln euro drogë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë