Rend dhe Ligj

Trafik droge drejt Italisë, 4 anëtarët e grupit “Habilaj” dënohen me 37 vite burg në total

Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar, ka dënuar anëtarët e grupit të Moisi Habilaj me 37 vjet burg, për veprat penale trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal. Konkretisht Moisi Habilaj është dënuar me 10 vite burg, nga 15 që kishte kërkuar SPAK, ndërsa Nezar Seiti është dënuar me 9 vjet burg nga 13 që kishte kërkuar SPAK në 4 maj.

Po ashtu, i dënuar me 9 vite burg secili është edhe Meridian Sulaj dhe Fatmir Minaj, nga 13 vite që kishte kërkuar SPAK, të dy për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Të 4 të dënuarit nga GJKKO kanë përfituar nga dënimi i shkurtuar, duke e ulur me 1/3. Grupi “Habilaj” u godit në tetor 2017 në përpjekje për të trafikuar një sasi të konsiderueshme droge nga Shqipëria në brigjet italiane, ku në banesën e Armand Koçerrit në Vlorë, u sekuestruan 4 tonë kanabis dhe një gomone.

Pas 3 vitesh hetime, në 4 maj 20021, SPAK kërkoi 63 vite burg në total për 4 anëtarët e grupit Habilaj, por ata përfituan nga gjykimi i shkurtuar, duke marrë në total 37 vite burg.

Ka qenë Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit ajo që ka dhënë dënimin për këtë grup i cili u përfol edhe si i lidhur me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Moisi Habilaj u dënua në Itali me 15 vite e 5 muaj burg lënë në fuqi edhe nga Apeli atje, por ky vendim nuk u ekzekutua, pasi ai u arratis nga banesa ku qëndronte me masë sigurie.

Pala italiane ka kërkuar nga autoritet shqiptare të bëjnë kontrolle në territor, pasi ka dyshime të arsyeshme se Moisi Habilaj është larguar nga Italia për t’u fshehur në Shqipëri.

Aktualisht në Itali ndodhet Nezar Seitaj me masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe për hetuesit në Katania ai konsiderohet si financieri i grupit kriminal.

Grupi kryente trafikun e drogës kryesisht nga deti me anë të peshkarexhave. Kur mbërrinte në Itali, droga i shitej disa klaneve mafioze në provincat e Katanias, Sirakuzës dhe Raguzës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë