Ngjarje

Raporti: Të moshuarit në Shqipëri, të varfër e pa kujdesje

Shqipëria është një vend që po “thinjet”. Këtë tregojnë të dhënat e viteve të fundit, të cilat dëshmojnë që mosha e popullsisë në vend po vjen duke u rritur.

Faktorë si emigracioni apo numri i rënies së lindjeve ka bërë që numri i të moshuarve të shtohet ndjeshëm.

Kështu, vetëm dy dekadat e fundit, numri i të moshuarve është shtuar ndjeshëm: nga 8% që zinte kjo grupmoshë në vitet 2001, në 2018 të moshuarit zinin 14% të popullsisë.

Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2020 numri i të moshuarve në vend ishte rreth 82 mijë mes të cilëve rreth 53% e tyre janë femra, për arsyen se gratë jetojnë mesatarisht 3-4 vjet më shumë sesa burrat.

E njëjta gjë pohohet edhe në një studim të organizatave në Mbështetje të të Moshuarave (MOSHA - Movement of Organizations Supporting Healthy Ageing), ku vërehet se “Tranzicioni demografik në Shqipëri ka kulmuar dukshëm me një “plakje” graduale të popullatës gjatë dekadave të fundit.”

Sipas planit Kombëtar të Moshimit, numri në rritje i të vjetërve më të moshuar është edhe rezultat i drejtpërdrejtë i jetëgjatësisë në rritje, e cila është vënë re gjatë dekadave të mëparshme dhe që mendohet se do të vazhdojë në dekadat e ardhshme.

“Në të kaluarën martesa ishte universale në popullsinë e Shqipërisë dhe rimartesa veçanërisht tek meshkujt ishte shumë e zakontë, ndërsa analiza aktuale tregon një shtyrje të martesës, rënie të shkallës së rimartesës dhe madje shfaqjen e fenomenit të braktisjes së saj. Niveli i ulët i martesave aktualisht reflektohet nga një nivel i rritjes së divorceve”,- thuhet më tej në raportin studimor.

Sigurisht plakja e popullsisë shoqërohet me një sërë problemesh, të cilat duhet të adresohen dhe ndaj të cilave institucionet, por edhe vetë shoqëria dhe njerëzit në të përditshmen e tyre duhet të kenë një qasje tjetër.

Të moshuarit në të gjithë botën përballen me sfida si varfëria, diskriminimi dhe abuzimi. Ndërkohë që shqetësimet lidhur me të moshuarit nuk janë një fenomen i ri, në fakt ato janë sfida që duan zgjidhje dhe kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e Shqipërisë.

Situata ekonomike dhe problemet e të moshuarve

Ndikimi i varfërisë dhe problemeve të tjera sociale të shoqërisë shqiptare, sëbashku me “barrierat e moshës”, gjendja shëndetësore ose infrastruktura e dobët e shërbimeve, pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efektive të të moshuarve në shoqëri, iu mohojnë atyre disa nga të drejtat, mundësinë e përfitimit nga mirëqenia e përgjithshme, ashtu si anëtarët e tjerë të shoqërisë.

Për rrjedhojë, sipas Rrjetit Shqiptar të Moshimit, “të moshuarit janë ndër grupet më të përjashtuara të popullsisë.”

Në përputhje me përcaktimet teorike si edhe me metodologjinë e zhvilluar në kuadrin e përgatitjes së “Dokumentit Politik të Përfshirjes Sociale”,  “problemi më kritik i moshës së tretë është varfëria ekonomike, e shkaktuar nga mungesa ose pamjaftueshmëria e të ardhurave.”

Raporti i vartësisë së moshimit pothuaj u dyfishua nga 8.6% në vitin 1989 në 16.7% në vitin 2011. Në vitin 2030, ky raport do të jetë dyfishuar sërish për të arritur në nivelin 32.9%.

Sipas të dhënave të raportit, rreth 30% e të moshuarve shqiptarë jetojnë në blloqe apartamentesh, ku një kufizimi rëndësishëm i lëvizshmërisë për 80% të tyre është mungesa e ashensorit. Shumica dërrmuese ose 93% e të moshuarve ka akses në banjo të përshtatshme, por vetëm 76% e kanë këtë brenda shtëpisë.

Gjendja shëndetësore, problemi i dytë për nga rëndësia

Të moshuarit vuajnë më shumë se një sëmundje kronike. Ata shprehen se nuk e përballojnë dot blerjen e ilaçeve dhe shpesh detyrohen të marrin vetëm një pjesë të ilaçeve dhe kryesisht ato që janë më rimbursim. Nga ana tjetër, sistemi publik i kujdesit shëndetësor është i papërgatitur për të përballuar nevojën në rritje të të moshuarve.

Nga disa studime, që ka kryer Shoqata e Gerontologjisë, e ngritur posaçërisht për evidentimin e problemeve të të moshuarve, rezulton se rreth 60 përqind e të moshuarve në të gjithë vendin, vuajnë nga sëmundje kronike, ndërkohë që rreth 30 përqind deri në 40 përqind e medikamenteve, përdoret nga mosha e tretë, duke ndikuar ndjeshëm në buxhetin e shtetit. Gjendja shëndetësore, sidomos e të moshuarve mbi 75 vjeç dhe të sëmurë është faktor kritik përjashtimi.

Studimi “Vlerësimi i kushteve social-ekonomike , pjesëmarrjes shoqërore dhe gjendjes shëndetsore të të moshuarve në Shqipëri”, i realizuar nga Rrjeti Shqipar i Moshimit në vitin 2017, konfirmon se rreth 8% e të moshuarve nuk  kanë asnjë kontakt me pjesëtarët e familjes dhe/ose miqtë, duke dëshmuar për një izolim të plotë social të kësaj kategorie të moshuarish. Shkalla e përjashtimit social është disi më e lartë te femrat (8.7%) në krahasim me meshkujt (7.7%), dhe është shumë më e lartë tek të moshuarit në moshë shumë të madhe në krahasim me

Çfarë mendojnë të moshuarit

Sipas një vëzhgimi-anketë të bërë mes të moshuarve në Tiranë dhe në Vlorë theksohet se të moshuarit përjetojnë nivel shumë më të lartë të sëmundjeve kronike dhe humbjes së aftësive krahasuar me moshat e tjera.

Te gratë vërehet nivel më i lartë i hasjes së sëmundjeve kronike, depresionit, dhimbjeve dhe uljes së mobilitetit.

Ndërkohë ka një numër të lartë personash me më shumë se një sëmundje dhe nevoja për trajtime të shumëfishta, ndërsa mobiliteti i ulët tek shumë të moshuar si dhe humbje e autonomisë tek disa çon në mënjanim të sherbimeve në rast nevoje.

Është për t’u vërejtur se në një kohë që nuk përballohen kostot shtesë të disa barnave apo ekzaminimeve shtese të rekomanduara nga mjekët, të moshuarit priren drejt përdorimit të mjekësisë alternative/tradicionale.

Ndërkaq të moshuarit të zonave larg qendrave urbane kanë pritshmëri të ulta nga shërbimet në zonat rurale.

Përsa i përket shërbimit shëndetësor që iu ofrohet, të moshuarit kanë opinione të ndara lidhur me pagesat informale.

Disa besojnë se sjellja e mjekëve është e ndikuar nga aftësia e tyre për të paguar, ndërsa disa të tjerë e lidhin me formimin dhe profesionalizmin individual të mjekut.

Vizitat në shtëpi në zonat urbane, shumë të rralla

Të moshuarit në zonat urbane pohojnë se vizitat e mjekëve në shtëpi janë shumë të rralla ndërsa janë të kushtëzuara nga pagesat informale. Sipas tyre, mjekët nuk u kushtojnë kohën e duhur dhe nuk i dëgjojnë me kujdes shqetësimet e tyre, ndërsa nuk japin shpjegime mbi trajtimin dhe barnat. Të moshuarit nga ana tjetër shfaqin mosbesim tek cilësia e barnave të listës.

Ata vërejnë se kanë mungesë të kujdesit në shtëpi kur nevojitet dhe shfaqin mungesë besimi tek kapacitetet në kujdesin parësor.

Një tjetër gjë që ata vërejnë janë problemet (sidomos tek gratë e moshuara) në mënyrën e komunikimit nga ana e personelit, si dhe pakënaqësi me rezultatet e trajtimit (sidomos te gratë).

Braktisja nga familja

Braktisja nga familja ose jetesa në vetmi është problemi më i ri me të cilin përballen të moshuarit në Shqipëri. Pjesërisht për shkak të dobësimit të lidhjeve familjare në kohën moderne dhe pjesërisht për shkak të imigracionit dhe emigracionit, të moshuarit edhe pse nuk përballen me problemin e mungesës së strehimit, vuajnë vetminë, e cila rëndon edhe më shumë gjendjen e tyre shëndetësore dhe emocionale.

Paralelisht, të  moshuarit pasi ndërpresin marrwdhënien me punën ndërpresin marrwdhënien edhe me kontaktet sociale, gjë që thellon rrezikshmërinë e përjashtimit social.

“Në këtë periudhë personat me moshë të pjekur duhej të kishin mundësi të tregonin eksperiencat  dhe arritjet e tyre në jetë, duke kontribuar në aktivitete të përshtatshme për kualifikimin dhe gjendjen shëndetwsore të tyre. Kjo kërkon që shoqëria të krijojë mekanizma të cilat përdorin punën vullnetare të të moshuarve, për të realizuar shërbime të domosdoshme komunitare.”, - vërehet në raportin e Rrjetit Kombëtar të Moshimit.

Në përfundim të përshkrimit, vlerësohet se të moshuarit e vetëm, në nevojë për shërbime dhe me të ardhura të pamjaftueshme, janë më të privuarit  nga pjesëmarrja në funksionimin bazë politik, ekonomik dhe social të shoqërisë.

Sipas të dhënave, në Shqipëri, grupmosha nga 0-44 vjeç ka rënë me 27%, ndërsa ajo mbi 45 vjeç është rritur me 52%, në raport me vitin 2001.

Por plakjen e vërtetë duket se do ta përjetojmë pas 10 vitesh. Sipas projeksioneve të INSTAT në 2031, mosha mesatare e popullsisë do të jetë 42 vjeç, numri i vdekjeve do të rritet ndërsa shtimi i popullatës do të jetë edhe më i ulët. 

Pas një dekade Shqipëria do të ketë më shumë të moshuar, më shumë nevojë për shërbime ndaj tyre dhe sidomos për politika stimuluese për shtimin e popullsisë.

Të drejtat që u mohohen të moshuarve

Sipas Raportit Kombëtar të Moshimit, të moshuarve në Shqipëri iu mohohen të drejtat që vijojnë:

E drejta e të moshuarve për të qenë të lirë nga diskriminimi, nëpëmjet mohimit  të aksesit ndaj shërbimeve ose edhe faktorëve të tjerë si gjinia, etnia ose aftësitë e kufizuara.

E drejta e të moshuarve për të qenë të lirë nga dhuna, sepse të moshuarit, burra dhe gra, shpesh janë subjekt i abuzimit, si ai verbal, seksual, psikologjik dhe financiar.

E drejta e të moshuarve për siguri sociale, për shkak të paaftësisë të sektorit publik për t’iu siguruar mbrojtje të veçantë të moshuarve dhe riintegrim ose sigurimit të një minimumi të  ardhurash.

E drejta e të moshuarve për shëndet për shkak të mohimit të kujdesit të duhur shëndetësor dhe pamundësisë të përfitimit të trajtimit mjekësor të nevojshëm.

E drejta e të moshuarve për të kontribuar për shkak të konsiderimit si “jo të aftë për t’u punësuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë