Rend dhe Ligj

Videot në “Tik-Tok”, KLGJ fut me urgjencë kërkesën e ILD për shkarkimin e Enkeleda Kapedanit

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka futur me urgjencë në rend dite kërkesën e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë për kryetaren në detyrë të Gjykatës së Elbasanit, Enkeleida Kapedani.

Relator i çështjes është caktuar Maksim Qoku.

ILD ka kërkuar pezullimin dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtares.

Pak ditë më parë Kapedanit iu shfaqën disa video në aplikacionin ‘’Tik-Tok’’ nga automjeti dhe ambientet e Gjykatës së Elbasanit.

LEXO EDHE:
– Zanafilla e një përleshje me thika pse i shkroi të dashurës së tjetrit në tik tok
– Për sharjet në tik-tok- Rrihen jo vetëm gocat, por edhe mamatë e tyre

Sipas ILD veprimet e saj diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit.

Videot e gjyqtares u shpërndanë masivisht në rrjetet sociale, duke shkaktuar kritika të shumta mbi mënyrën se si gjyqtarja e trajtonte institucionin, aq më tepër që për detyrën e saj ka edhe një Kod Etike.

Enkeledia Kapedani u dekretua nga Presidenti Bujar Nishani si gjyqtare në vitin 2015 pranë Gjykatës së Elbasanit.

Emri i Kapedanit u lakua në media kohë më parë pasi liroi nga burgu Viktor Ymerin, i cili konsiderohej nga Policia dhe Prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës (Gaxhait), i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Për këtë çështje, qysh prej dhjetorit 2019, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj i ka kërkuar me shkrim KLGJ-së verifikimin dhe marrje mase ndaj saj.

Por KLGJ është vënë në lëvizje vetëm pas rastit të fundit që lidhej me disa video në “Tik Tok”

Kapedani u komandua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 shtator të vitit 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu.

Gjyqtarja nuk ka kaluar ende procesin e vettingut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë