Irena Beqiraj

Kangjellat e Vulgaritetit


Në zyrat drejtuese të shtetit, duke filluar që nga Kuvendi i Shqipërisë,  në mungesë të inteligjencës, vendin e elegancës,  sharmit dhe kulturës, e ka zaptuar vulgariteti.

Përtej  gjykimit etik  të përdorimit të zyrave për të bërë video ku një grua shpalos “bukurinë ”, ajo që më shokon çdo ditë e më shumë është pikërisht dëshira apo nevoja për të treguar bukurinë fizike, në vende pune apo pozicione, ku ushtrimi i detyrës nuk ka nevojë për këtë të fundit.

Një mendje e bukur burri si ajo e Gilman Bakallit shkruante:

“Raporti i vërtetë apo i supozuar midis bukurisë fizike, pranimit social, suksesit erotik apo shanseve për karrierë profesionale e ka rritur maksimalisht oreksin për bukurinë duke e kthyer atë në një aspekt dominant të jetës në Shqipëri. Logjika duket shumë joshëse dhe imponuese: bukuria qenka më e pushtetshme se inteligjenca”.

Bukuria fizike apo edhe suksesi erotik është sport kombëtar tanimë për gratë që kanë zënë hapsirën publike. Përdorimi i   botoksit, silikonit  dhe veshjes janë jo vetëm çështje të imazhit por të mbijetëses në punën e përditshme. Gjykatësja është vetëm një nga ushtrueset e këtij sporti.

Gruaja që sot po e çojnë në giotinë nuk është ndryshe nga shumë gra të cilave  puna që bëjnë u kërkon inteligjencë, një identitet të konsoliduar, raporte të formëzuara dhe të qarta me elemetet joshës duke filluar nga pamja e tyre e jashtme e deri tek paraja. Në këto vende pune lipset inteligjencë disiplinë, respekt për veten dhe profesionin e zgjedhur.

Ndërkaq një model tjetër promovohet rëndom. Modeli i përdorimit në masë i botoksit , silikonit apo veshjes si mjete për të tërhequr adhurimin e masës duke përdorur bukurinë si element  për “të transportuar edhe vlera të tjera si shëndet, rini, potencë seksuale, sukses profesional dhe jetëgjatësi”. Ky në fakt është një fallcitet enorm i cili pëveçse i ka larguar disa syresh  nga inteligjenca që edhe mund t’ju mos mungojë, por u ka marrë edhe kohë të vlefshme për të menaxhauar, zbutur apo edhe zvogëluar efektet e padëshiruara që sjell me vete një vëmendje e panevojshme.

Shqetësuese “për shoqërinë është  prirja në rritje e grave në karrierë për buzët me botoks dhe gjinjtë me silikon ,“e cila  tregon shkallën e dëshpërimit tonë si shoqëri, e cila e sheh të pamundur të matet me arritje që vijnë si rezultat i përpjekjeve dhe ushtrimit të pareshtur”.

Gjykatësja është një projeksion, një mesatare par exelence e mentalitetit tonë mbi gruan e bukur edhe të suksesshme , është modeli i i zakonshëm që u ofrohet çdo ditë vajzave tona edhe që rrezikon rëndë formimin e tyre. Këto modele të cilat sot percepetohen si  modele suksesi të garantuara, janë modele thjeshtë për t’u imituar. Ato i “çlirojnë ” vajzat tona nga lodhja e arritjes së suksesit  nëpërmjet punës duke i burgosur përfundimisht  në kangjellat e vugaritetit .

Ps. Fjalitë në thonjëza janë  marrë nga shkrimi i Gilman Bakallit “Buzë, bythë dhe botoks


Copyright © Gazeta “Si”