Libra

“Njerëz me dritë”, libri i fundit i Lefter Çipës

Tre muaj pas ndarjes nga jeta të mjeshtrit të vargjeve popullore, Lefter Cipa, promovohet libri i tij “Njerëz me dritë” (postmortem). Promovimi u bë nga Akademia e Shkencave në një aktivitet në Universitetin e Vlorës.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi në përurimin e librit dhe fondit arkivor të Lefter Çipës përgëzoi Rektorin Roland Zisi për nismën e krijimit të fondeve dorëshkrimorë pranë bibliotekës së institucionit.

“Lefter Çipa ishte autor tekstesh i këngëve popullore, si organizator e drejtues grupesh folklorike, si poet e njeri me karakter të fortë dhe për emrin e tij si një mjeshtër i polifonisë, i harmonisë dhe thellësisë së saj dhe si mjeshtër i risive”, tha Gjinushi.

Libri “Njerëz me dritë” i Lefter Çipës është libër që i kushtohet familjes së artit dhe poezisë së tij.

“Njerëz me dritë” është libër dëshmie se sa shumë i ka dashur e çmuar Lefteri miqtë e tij të lartë, me paraqitje si kontë Parisi, siç i sheh ai Shuteriqin e Dritëronë në një prej njohjeve të para me ta”, është shprehur studiuesi Shaban Sinani, i cili është marrë me botimin e librit.

Lefter Çipa ka botuar 18 libra me poezi dhe është autor i rreth 1250 këngësh.

Ai njihet si njeriu që investoi më shumë për polifoninë shqiptare dhe la pas një pasuri gjuhësore, e cila shënjon kulturën e shekullit XX.

Lefter Çipa është autor i librave të botuar me poezi si: “Bejkë e bardhë”, “Bilbilat e vendit tim”, “Shqipëri moj ballëhapur”, ” Këngët e Ruzanës”, “Dheun tim përsipër mbaj”, “Për Kosovën prapë do të ngrihem”, “Kënga që tret lotin”, “Këngët e Akroqeranit”,”Princi i Dashurise”, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë