Një ditë pas ekzekutimit mafioz të 32-vjeçarit Endri Mustafa në Shkodër, policia ka shpallur në kërkim autorin kryesor të dyshuar të vrasjes.
Ai është Ibrahim Liçi, 28 vjeç banues në lagjen Guerrile, Shkodër. Ky i fundit, është emër i njohur për policinë, pasi rezulton i përfshirë edhe në ekzekutimin e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali në Shkodër, ngjarje e ndodhur në vitin 2019, për të cilën 28-vjeçari u shpall në kërkim si autor i dyshuar i krimit.
Policia thotë se ka arritur të zbardhë dhe dokumentojë ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë, në lagjen Guerrile, Shkodër, ku u gjet i vrarë Endri Mustafa.
Po ashtu, është arrestuar 15-vjeçari E.M., i cili dyshohet si bashkëpunëtor në vrasjen e 32-vjeçarit, si dhe E.A.i., 26 vjeç, i cili dyshohet se ka dijeni për ngjarjen.
Gjatë ditës së djeshme në Policinë e Shkodrës janë shoqëruar 8 persona, të cilët dyshohet se kishin dijeni për këtë ngjarje të rëndë, ndërkohë që pas disa orësh hetime policia ka ndaluar dy prej tyre. Mustafa është një emër i njohur në Shkodër si person me precedentë penalë dhe i lidhur me grupe kriminale të qytetit.
I riu, baba i tre fëmijëve, u vra në mënyrë makabre, ku u qëllua me 1 plumb në gojë, 2 në kokë dhe 3 në gjoks. Nga këqyrja e trupit dyshohet se fillimisht ai është dhunuar dhe më pas është qëlluar me armë zjarri.
32-vjeçari u gjet i vrarë 3 ditë pasi familja e tij e kishte denoncuar si të zhdukur. Viktima, ka qenë i arrestuar më parë dhe i dënuar për plagosje.
Mustafa dyshohet se ka qenë pjesë e grupit të Astmer Bilalit në Shkodër, i cili prej vitesh ka qenë në konflikt me familjen Liçi për shkak të hakmarrjeve dhe kontrollit të territorit për veprimtari të paligjshme. Një përplasje, e cila është shoqëruar me viktima të shumta nga të dyja palët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.