Dosje

Çfarë po ndodh në Shkodër? Nga Ibrahim Liçi tek Bajrat dhe një grua që i shfajëson të gjithë

Ergys Malja ka mbushur 15 vjeç katër muaj më parë dhe është një ndër adoleshentët e radhës, emri i të cilit përmendet në krimet e rënda të ekzekutimeve dhe përplasjeve mes bandave.

Ai u arrestua për zhdukjen dhe vrasjen e Endri Mustafës, një emër i njohur për Policinë e Shkodrës dhe për prokurorinë në këtë qytet, sa i takon hetimit të fajdeve, teksa njihej si një ndër fajdexhinjtë më të mëdhenj në këtë zonë. 

Adoleshenti do të dalë para gjykatës për akuzën e vrasjes me paramendim në bashkëpunim, pohoi një burim pranë Prokurorisë së Shkodrës, që insiston se për të njëjtën akuzë, po kërkohet, por nuk ka asnjë gjurmë të tij, edhe Ibrahim Liçi.

Por ndonëse viktima, i moshës 32 vjeç u shpall në kërkim pak kohë më parë për një nga hetimet e pakta të fajdeve në Shqipëri, në dosjen ku ishin të përmendur edhe djemtë e ish-prefektit të Shkodrës (një dosje e zbardhur eksluzivisht në atë kohë nga GazetaSi.al), ai nuk u arrestua asnjëherë.

Bëhet me dije se ndaj tij, vijonte masa e arrestit me burg në fuqi e shpallur në mungesë dhe siç u pa qartë, 32-vjeçari u gjet përpara se ta gjente policia lokale.

“Adoleshenti i kishte shkruar që kur të të nis një kalë në fotografi , vetëm atëherë dil”, citoi për GazetaSi.al, zyrtari i policisë lokale, i cili këmbnëgul se përmes kësaj shenje, ai e bindi shënjestrën që të dalë nga banesa.

Ndëkohë e shoqja e konfirmon këtë rrethanë, sa kohë dëshmoi për mediat që bashkëshorti i saj nuk dilte me këdo dhe jo në çdo kohë, pasi ishte i kujdesshëm.

Por se sa është e besueshme dëshmia e fëmijës, që tregon se e nxorri në pritë viktimën, kjo mbetet për t’u parë, pasi autoritetet kanë dyshime se ai ishte i përfshirë nga një grup që e ka selinë në Dobraç, një nga lagjet ku policia është mundur dhe nuk ia ka dalë mbanë të ketë influencë dhe as kontroll.

“Patjetër që Dobraçi është një sfidë për policinë dhe kushdo që thotë të kundërtën, nuk përmend të vërtetën”, - rrëfeu agjenti i policisë për GazetaSi.al , I cili me këtë deklaratë, ka parasysh prezencën e grupeve të fuqishme, që jo vetëm i shpëtuan drejtësisë, e madje dhe SPAK-ut, por zyrtarisht Bajrat nuk u njohën si grup, meqënëse akuzat ndaj tyre nuk u provuan.

Së bashku me fëmijën, sipas burimeve të GazetaSi.al, është arrestuar edhe një shtetas me inicialet E.A., i moshës 25 vjeç , por ai gjendet në burg vetëm për mbajtje të lëndës narkotike me një sasi prej rreth 200 gramë kanabis.

Por  emri më i rëndësishëm, është i 15-vjeçarit, që së paku deri tani është i vetmi që dyshohet se nxorri në pritë Mustafën, kurse lidhjet e tij me Asmer Bilalin dhe Bajrat, mbeten për t’u parë e për t’u vërtetuar në ditët në vijim.

Ibrahim Liçi

Pa asnjë diskutim që Ibrahim Liçi, i shpallur në kërkim për vrasjen, është po ashtu një nga sfidat e policisë. I riu, jo pak herë ka sfiduar drejtësinë.

Emri i tij u kthye në sfidë pas vrasjes së Bardhi Liçit, që dyshohet se u eliminua nga grupi i Dobraçit. I dyshuar po ashtu si një personazh i përsfshirë në gjobëvënie dhe vrasje, i riu i ka kthyer me gisht në gojë disa herë repartet special,  pavarësisht skedës së bollshme.

Ibrahim Liçi, sipas Policisë së Shkodrës, ishte mik i ngushtë me Asmer Bilalin dhe tanimë ata dyshohet se janë kthyer në armiq të betuar për sagën e krimeve që vazhdojnë të tronditin Shkodrën.

Gruaja e viktimës

Bashkëshortja e Endri Mustafës, duke folur për mediat në Shkodër

Por brenda të njëjtës ditë, gruaja e të vrarit më të fundit, doli përpara mediave dhe duke u distancuar nga emri i Ibrahim Liçit, për të cilin tha se nuk është ai autor, të njëjtën gjë u kujdes të përmendte edhe për miqësinë me Bajrat.

Nuk dihet se përse e afërmja e një viktime, trupi i të cilit u gjet pak ditë pasi ishte zhdukur, dha dekarata të tilla dhe nëse këto deklarata janë dhënë apo jo me vullnetin e saj të plotë, apo ajo është kërcënuar dhe ka pasur nevojë për të mbrojtur të afërmit me atë deklaratë.

“Endri Mustafën e kanë qëlluar me plumb në gojë dhe kjo është një vrasje me mesazh të fortë”, - citoi një zyrtar policie, i cili nge pikëpyetje për mesazhin që i ka dërguar 15-vjeçari në telefon për ta nxjerrë viktimën nga shtëpia: “Po të çova një shenjë kali, ti do dalësh menjëherë”.

“Nuk kemi pasur kurrë asnjë problem me familjen Liçi. Burri im ka qenë shok me djemte e tij. Unë e kam thënë edhe në polici, se Ibrahim Liçi nuk ka lidhje me vrasjen dhe habitem si e kanë nxjerrë, sepse nuk ka asnjë lidhje dhe jemi 100% të sigurt se nuk ka ndodhur nga Ibrahimi. I kemi komshi dhe nuk kemi pasur kurrë asnjë problem me ata. Atë natë në 10 të darkës, Endri kërkoi të dilte nga banesa dhe më tha më jep një xhakovento dhe më tha po shkoj deri në livade dhe po vij për 10 minuta, nuk po vonoj tha. Unë i thashë të lutem, mos dil se është natë, por më tha nuk vonoj dhe vij menjëherë. Doli me këtë djalin komshi 15-vjeçarin, ai po e kërkonte që nga mesdita. I kishte bërë disa muhabete 15-vjeçari, por nga që ishte në atë moshë. nuk ia kemi vënë veshin dhe i thashë, mos u merr me të, sepse e njihnim çfarë fëmije është dhe se me kë merrej ai. Burri e anashkaloi atë dhe iku në 10 të darkës dhe nuk u kthye më”, - deklaroi para mediave Ingrid Mustafa, bashkëshortja e viktimës.

E veja e të riut, në prononcimin e dytë, doli për të hedhur poshtë faktin se vrasja e bashkëshortit të saj ka lidhje me konfliktet e fiseve. Madje tregoi dhe për një telefonatë nga fisi Bajraj.

“Na ka marrë në telefon fisi Bajri, e na ka thënë që nuk kemi lidhje me ngjarjen. Mediat po na hapin fjalë shumë. ‘Të jeni të sigurtë që nuk e kemi bërë. Ne nuk e dimë kush e ka bërë’, thanë ata. Unë nuk akuzoj askënd, e thashë edhe më herët që policia duhet ta zgjidhë me atë djalë 15-vjeçar që ka kapur dhe me asnjë fis”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë