Anketa e Bankës së Shqipërisë për rreth 1200 biznese mbi gjendjen financiare dhe huamarrjen e tyre, tregon se rreth 20% e të gjithë bizneseve të vogla në 2020 kanë rezultuar me humbje.
Vrojtimi tregon se pritshmëritë për nivelin e përgjithshëm të shitjeve janë pesimiste edhe për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave të BSH, ndërmarrjet e vogla vijojnë të raportojnë një rënie të ndjeshme të nivelit të shitjeve me 36.9% në krahasim me një vit më parë.
Gjendja e krijuar nga pandemia bëri që edhe ndërmarrjet e mesme të shënojnë balanca neto negative të shitjeve.
Ata raportuan humbje me 12.1% ndërsa bizneset e mëdha i rezistuan krizës duke raportuar një humbje me vetëm 7%. Gjithashtu, numri i këtyre të fundit është rritur me 40% gjatë së njëjtës periudhë.
Pandemia duket se ende po vijon që të ketë ndikim të ndjeshëm në vendimmarrjen e ndërmarrjeve lidhur me investimet apo zgjerimin e aktivitetit të tyre.
Rreth 10% e ndërmarrjeve të vogla dhe 20% e atyre të mesme deklaruan se e kanë kryer veprimtarinë kryesisht në valutë. Ky tregues është rreth 34% tek ndërmarrjet e mëdha por është ulur me 3 pikë përqindje për periudhën.
Shumica e bizneseve, mbi 98% janë të vogla dhe ushtrojnë aktivitet në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve të orientuara drejt konsumit.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i bizneseve të vogla mikro-ndërmarrjet gjatë periudhës 2015-2019 ka shënuar rënie me 2.2%, më shumë se 2300 janë mbyllur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.