Biznes

Mbi 20% e bizneseve të vogla ishin me humbje në 2020, situata pesimiste dhe për këtë vit

Anketa e Bankës së Shqipërisë për rreth 1200 biznese mbi gjendjen financiare dhe huamarrjen e tyre,  tregon se rreth 20% e të gjithë bizneseve të vogla në 2020 kanë rezultuar me humbje.

Vrojtimi tregon se pritshmëritë për nivelin e përgjithshëm të shitjeve janë pesimiste edhe për gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të BSH, ndërmarrjet e vogla vijojnë të raportojnë një rënie të ndjeshme të nivelit të shitjeve me 36.9% në krahasim me një vit më parë.

Gjendja e krijuar nga pandemia bëri që edhe ndërmarrjet e mesme të shënojnë balanca neto negative të shitjeve.

Ata raportuan humbje me 12.1% ndërsa bizneset e mëdha i rezistuan krizës duke raportuar një humbje me vetëm 7%.  Gjithashtu, numri i këtyre të fundit është rritur me 40% gjatë së njëjtës periudhë.

Pandemia duket se ende po vijon që të ketë ndikim të ndjeshëm në vendimmarrjen e ndërmarrjeve lidhur me investimet apo zgjerimin e aktivitetit të tyre.

Rreth 10% e ndërmarrjeve të vogla dhe 20% e atyre të mesme deklaruan se e kanë kryer veprimtarinë kryesisht në valutë. Ky tregues është rreth 34% tek ndërmarrjet e mëdha por është ulur me 3 pikë përqindje për periudhën.

Shumica e bizneseve, mbi 98% janë të vogla dhe ushtrojnë aktivitet në sektorët e tregtisë dhe shërbimeve të orientuara drejt konsumit.

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i bizneseve të vogla mikro-ndërmarrjet gjatë periudhës 2015-2019 ka shënuar rënie me 2.2%, më shumë se 2300 janë mbyllur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë