Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se katër nga bankat më të mëdha në vend aplikojnë komisione më të larta si në krahasim me rrjetin e tyre në rajon ashtu edhe me bankat e tjera të sektorit bankar në vend.
Bankat nën hetim (Banka Kombëtare Tregtare, Banka Credins, Banka e Raiffeisen dhe Intesa Sanpaolo) kanë qëndrueshmëri të pjesëve të tregut dhe kjo vjen për shkak se fuqia kundërvepruese e blerësve (klientëve të bankave) është e ulët.
Për shkak të pandryshueshmërisë së pjesëve të tregut, AK gjykon se ato kanë përfitueshmëri të sigurt.
Nga hetimi i thelluar që ka bërë AK mbi tregun e shërbimeve dhe produkteve bankare, ka rezultuar se tregjet me nivelin më të lartë të përqendrimit janë: tregu i llogarisë rrjedhëse, tregu i kredisë konsumatore, tregu i kredisë kufi (overdraft), tregu i transfertave bankare hyrëse dhe tregu i transfertave bankare dalëse.
Gjithashtu, tregu i depozitës me afat, tregu i depozitës pa afat, tregu i kredisë së biznesit dhe ai i kredisë hipotekore janë tregje mesatarisht të përqendruar. Sipas AK, ata janë sërish një tregues i qëndrueshmërisë së pjesëve të tregut për bankat në fjalë.
Nga vlerësimi që është bërë mbi strukturën e të ardhurave, është konstatuar se pjesa më e madhe e tyre është realizuar nga interesat e kredive dhe niveli i shpenzimeve për interesat e depozitave.
Sipas AK, norma e ulët për interesat e depozitave dhe norma e larta të interesave për kreditë kanë sjellë fitime të konsiderueshme për bankat nën hetim.
Në përfundim të hetimit, Autoriteti i Konkurrencës, vendosi detyrimin e katër bankave për të rishikuar drejt uljes brenda një viti nga marrja e vendimit (17 nëntor 2020) komisionet e shërbimeve bankare për produktet e depozitave, kredive si dhe për shërbimet e transfertave e pagesave.
Gjithashtu, ato duhet të ndryshojnë normat e interesit për produktet depozita dhe kredi me synim ngushtimin e marzhit midis normave respektive.
Në rast të mos përmbushjes së kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara në vendim, bankat nën hetim do të ndëshkohen me gjoba periodike në masën 5% të xhiros mesatare ditore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




