Lajme

Dyshime për manipulim të zgjedhjeve, PD i kërkon KQZ pamjet filmike të çdo KZAZ-je

Partia Demokratike ka hedhur dyshime të forta për një manipulim të madh votash në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Në dokumentin që mban firmën e përfaqësuesit ligjor të PD-së, Ivi Kaso, selia blu i kërkon KQZ-së që të dorëzojë videot nga KZAZ-të dhe QV-të për të verifikuar se çfarë ka ndodhur gjatë procesit të zgjedhjeve dhe numërimit.

Po ashtu, Partia Demokratike ka kërkuar edhe të dhënat e prodhuara nga pajisja e identifikimit biometrik për votuesit dhe të dhënat e kryqëzuara.

Ajo që kërkojnë demokratët nga KQZ-ja, janë të parashtruara në katër pika:

Pamjet filmike nga KZAZ-të

Pamjet filmike nga numëruesit e votave

Të dhënat e pajisjeve të identifikimit biometrik

Të dhënat e kryqëzuara mes pajisjes së identifikimit elektronik dhe regjistrit të zgjedhësve.

Në fjalimin e parë të mbajtur pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, kryetari i PD, Lulzim Basha hodhi akuza të forta për një masakër elektorale dhe manipulim të madh të votave.

“Vodhën të dhënat, kërcënuan dhe shantazhuan. Edi Rama ka bashkëpunuar dhe po bashkëpunon me Tom Doshin . Ai kandidoi përfaqësues të krimit në listat e tij.  Por ne u bëmë më të fortë dhe jemi më të vendosur se kurrë kushdo që mendon se do dorëzohemi nuk na njeh mirë”, – u shpreh kryedemokrati.

Më herët, SPAK njoftoi se ka nisur kërkesa drejt KQZ-së për pamjet filmike, nisur nga shumë denoncime nga partitë politike dhe kandidatët e pavarur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë