Lajme

Dako dhe Xhaferaj përplasen në Durrës, incident mes mbështetësve të PD-PS

Një incident është regjistruar mbrëmjen e të martës mes mbështetësve të PD-PS, teksa po numërohej kutia e fundit në Durrës.

Protagonist të përplasjes në distancë kanë qenë kryetari i PD së Durrësit, njëherësh kandidati për deputet, Ferdinand Xhaferaj dhe ish-kryebashkiaku socialist, Vangjush Dako. Ky i fundit dhe drejtuesit e tjerë socialistë, gjendeshin prej disa orësh në KZAZ nr.21 në Durrës duke ndjekur numërimin.

Ndërsa Xhaferaj ka hyrë në Pallatin e Sportit për të ndjekur procesin, ish-kryebashkiaku i Durrësit, e ka thirrur dhe i ka thënë “Urime”.

Xhaferaj shkon drejt tij dhe i thotë “Je bo politikan Vangjush Dako?” Më pas, një mbështetës i PS i del përpara dhe debaton me të.

Xhaferaj mësohet t’i ketë thënë që jeni të gjithë “zagarë të Dakos”. Ai i është kundërpërgjigjur. “Ti çfarë je, je më i mirë se ne. Çfarë zagarësh qenkemi ne?” Pas kësaj, një mbështetës i PD e godet atë të PS dhe fillon përplasja. Më pas janë të tjerë që ndërhyjnë duke i ndarë.

Një incident që ka ndodhur drejt fundit të procesit të numërimit, ku rezultati përfundimtar është, PS me 8 mandate dhe PD me 6 të tilla, me LSI-në pa asnjë mandat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë