Drejtuesi politik i socialistëve në Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri, ka shpallur fitoren e PS në këtë qytet.
Në një komunikim me gazetarët, Gjiknuri deklaroi se PS mund të kishte qenë edhe më mirë se kaq, duke marrë parasysh votat e pavlefshme në kuti.
Ai tha se presidenti ishte shkaku pse LSI humbi mandatin në Vlorë, duke bërë një fushatë, për të cilën theksoi se e ka marrë përgjigjen nga qytetarët.
Ndër të tjera, Gjiknuri deklaroi se Rama do të jetë deputet në Vlorë për shkak të besimit të madh që i kanë dhënë votuesit.
“Mund të kishim qenë edhe më mirë nisur nga numri i votave të pavlefshme. Gati 5000 vota në qarkun e Vlorës kanë dalë të pavlefshme. Shpresojmë se do jetë mësim për herë të tjera që puna në grup ka më shumë vlerë. Presidenti na dha forcë sepse erdhi dhe na sulmoi me pa të drejtë. Vlonjatët dinë të presin por edhe të përcjellin. Atë e përcollën sipas meritës. Elektorati vlonjat ishte i qartë dhe i dinte mirë diferencat. Çdo ndërhyrje nga jashtë si ajo e presidentit nuk kishte vend. Dua të them që Edi Rama do të jetë deputet i Vlorës dhe kjo na gëzon. Qytetarët vlonjatë treguan që e kanë respektuar Edi Ramën. Zhvillimi vjen me qeverinë Rama dhe mbështetja do të jetë edhe më e madhe nëse këto punë do të vazhdojnë”, u shpreh Gjiknuri.
Gjiknuri pati edhe një mesazh për Metën, duke thënë se duhet të mbajë fjalën dhe të japë dorëheqjen.
“Vlora e mbajti fjalën, unë uroj që edhe ai ta mbajë fjalën dhe të hapë dorëheqjen”, tha Gjiknuri i cili theksoi se mandati i LSI në Vlorë u humb edhe për shkak të fushatës së Ilir Metës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




