Politike

Kryesuesja e vëzhguesve të ODIHR: Sot vëmendja i dedikohet ditës së zgjedhjeve

Ambasadorja Ursula Gacek  e cila kryeson Misionin e Kufizuar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ndaloi për  të vëzhguar qendrën e votimit nr. 1729/1730 tek Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Gacek u shpreh se në fokus të misionit nuk është vetëm dita e zgjedhjeve por në tërësi procesi zgjedhor në Shqipëri.

“Mbase duhet t’ju shpjegoj pse jam këtu. Misioni i dedikohet mbarëvajtjes së fushatës elektorale. Jam në Shqipëri prej datës 17 mars. Gjitha vëmendja i dedikohet ditës së zgjedhjeve, po për ne si mision është vetëm një pjesë. Fokusi i vëzhgimit të fushatës në tërësi, parregullsitë gjatë saj, sjellja e kandidatëve. Vetë unë do të vëzhgoj një numër të vogël qendrash votimi, anëtarë të tjerë janë shpërndarë në të gjithë qarqet e Shqipërisë”, është shprehur ajo.

Më tej Gacek u shpreh se është mbledhur informacion, për 5 javë e disa ditë në Shqipëri dhe duhet kohë për të shqyrtuar të gjithë informacionin e mbledhur.

“Përgjigjet për pyetjet tuaja do të vijnë nesër. Ju do të keni mundësi të ri-takoheni për një konferencë që për shkak të pandemisë do të zhvillohet përmes zoom dhe aty mund të merrni të gjithë përgjigjet e pyetjeve tuaja”, shtoi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë