“Sot është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë. Dhe sot është një ditë e rëndësishme për qytetarët që do të ushtrojnë të drejtën për të votuar. Kemi parë që shumë zgjedhës kanë dalë për votuar,” ka thënë Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca.
Ambasadori Soreca ka bërë apel që qytetarët shqiptarë të drejtohen në kutitë e votimit. Ai tha se kjo është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre. Në fund të fjalës së tij ai pati edhe një mesazh në gjuhën shqipe, duke thënë “Ti vendos”.
Soreca ka thënën se shumë zgjedhës kanë votuar dhe kam parë një prirje që sistemi i ri po funksionon.
“Kam qenë në një qendër votimi ku pajisja pati një problem teknik por ajo u zëvendësua shumë shpejt. Thirrja ime për popullin shqiptar është shkoni të votoni, duhet që të ushtroni jo vetëm të drejtën por edhe përgjegjësinë që keni për të votuar. Në fakt kjo është ditë e rëndësishme për Shqipërinë në BE”, shtoi ai.
Më herët Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca ka dhënë sot mesazhin e parë për shqiptarët që u drejtohen kutive të votimit, duke thënë se unioni është në krah të qytetarëve për të garantuar një proces të lirë dhe demokratik.
Soreca u shpreh se 50 ekipe të vendeve të BE-së dhe Zvicrës ndodhen në terren sot për të monitoruar zgjedhjet në Shqipëri.
“Dita e zgjedhjeve shqiptare! Qytetarët shqiptarë po votojnë sot për Parlamentin e ri. Delegacioni, Shtetet Anëtare të BE dhe Zvicra, ambasadat kanë vendosur 50 ekipe në terren për të ndjekur procesin e votimit dhe numërimit nga afër.
“BE është krah të gjithë shqiptarëve”, thotë Soreca.
Pas 24 orëve heshtjeje zgjedhore, e cila u shkel në mënyrë flagrante nga një sër figurash politike, 5199 qendra votimi janë hapur për 3 milionë e 588 mijë e 869 shqiptarë të cilët do të zgjedhin 140 parlamentarët e rinj.
Nga ora 7:00 deri në 19:00 kutitë e votimit do të jenë të hapura për të gjithë ata që do të duan të zgjidhin ligjvënësit e katër viteve që vijnë.
Partia Socialiste kërkon një mandat të tretë, ndërsa opozita, e përbërë nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe disa parti të tjera të vogla, kërkojnë të marrin drejtimin e vendit për 4 vitet e ardhshme
Për herë të parë futen në garë në një palë zgjedhje të përgjithshme, disa forca të reja politike si Nisma Thurje, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit, Lëvizja Demokratike Shqiptare e Myslim Murrizit apo edhe 3 kandidatët e pavarur që mbështeten nga Lëvizja Vetëvendosje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




