Lajme

Rama, Basha dhe Ruçi thirrje shqiptarëve të votojnë

Me hapjen e qendrave të votimit, kryeministri Edi Rama, lideri i opozitës Lulzim Basha dhe kryeparlametarri Gramoz Ruçi kanë dhënë mesazhet e para për qytetarët ndërkohë që ata i drejtohen kutive të votimit.

Rama, i cili po  u kërkon shqiptarëve një mandat të tretë i bëri thirrje jo vetëm votuesve por edhe skenës politike të respektojnë bashkëjetesën demokratike dhe të shmangin konfrontimet.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, kryeministri bën thirrje po ashtu që qytetarët shqiptarë duhet të shprehin bindjet e tyre me votë.

“Le ta tregojmë sot të gjithë së bashku, se përtej partive e dasive për ne është Shqipëria dhe le t’i shprehim bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit, në këtë ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike, ku çdonjëri duhet ta gëzojë i patrazuar të drejtën e votës së lirë e të fshehtë, e prej ku Shqipëria duhet të dalë kryelartë për ne të gjithë”, shkruante kryeministrin.

Pak pas tij, edhe kreu i Selisë Blu, i cili po u kërkon shqiptarëve t’i japin mandatin Partisë Demokratike pas 8 vitesh në opozitë, nëpërmjet një video-mesazhi në rrjetin social “Facebook” jep mesazhin e qartë që qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit.

Ai ka shpërndarë një video në rrjete sociale, me protagonistë fëmijët, të cilët bëjnë thirrje që në këto zgjedhje për të votohet për ta, nëpërmjet numrit 9.

Kujtojmë se lideri demokrat Basha pritet të votojë në orën 09:00, në Qendrën e Votimit në Njësinë numër 8, në kryeqytet.

Një mesazh për qytetarët ka dërguar edhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili ka votuar në qendrën e votimit pranë Liceut Artistik. Në një mesazh për mediat pas votimit, ai tha se sot është dita e qytetarëve dhe jo e politikanëve dhe shprehu bindjen se sot do të fitojë qytetaria.

“Sot nuk është dita jonë, e politikanëve, sot është dita e qytetarëve. Unë kam bindjen se sot do të fitojë qytetaria e qytetarëve shqiptarë. Ne politikanët duhet të heshtim, të ndjekim procesin dhe t’i nënshtrohemi verdiktit që do japë sovrani. Nga nesër e tutje do ketë një fitues dhe një humbës. Nga nesër, fituesi të administrojë fitoren pa eufori dhe humbësi të administrojë humbjen pa panik”, deklaroi Ruçi.

Zëvendëskryeministri Erion Braçe, ka reaguar  po ashtu nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook”, ku i bën thirrje të gjithë qytetarëve të shprehin vullnetin e tyre me vote.

Braçe shprehet se tashmë shqiptarët duhet ta bëjnë vetë vlerësimin e tyre dhe të mos i japin asnjë shans asnjë krimineli apo vrasësi të bëhet pjesë e parlamentit shqiptar.

“Kështu votohet dhe, votohet tani! Jo me vonë! Vetëm voto voto voto! Vlerëso punën e mos i jep shans asnjë krimineli, vrasësi e hajduti te jetë në parlament!”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë