Treg

Studimi / Pandemitë nxisin përfshirjen më të madhe të robotëve në tregun e punës

Dëmtohen më të pakualifikuarit

Nga prodhimi i makinave te arkat me vetëshërbim, të gjithë shohim se si automatizimi mund të transformojë botën e punës – me kosto më të ulët dhe produktivitet më të lartë nga njëra anë, dhe punësim më të pasigurt për njerëzit nga ana tjetër. Por pandemia COVID-19 I shtoi benzinë zjarrit. Rritja e telepunës, për shembull, po dëmton punëtorët me paga të ulëta dhe rritjen e pabarazisë. Më gjerë, nëse pandemia përshpejton ritmin e automatizimit, atëherë mund të përballemi me një rritje të hovshme të papunësisë në radhët e punëtorëve me aftësi të ulëta dhe të pakualifikuar.

Studimi i fundit i stafit të FMN-së sugjeron që shqetësime të tilla janë të justifikuara.

Në studim FMN përqendrohet në një formë të automatizimit, robotët industrialë dhe analizon efektin e pandemive të mëdha në të kaluarën dhe adoptimin e tyre: SARS në 2003, H1N1 në 2009, MERS në 2012 dhe Ebola në 2014.

FMN përdor teknika ekonometrike dhe të dhëna robotësh në nivele sektoriale, nga Federata Ndërkombëtare e Robotikës që mbulon 18 industri në 40 vende midis 2000 dhe 2018.

Studumi zbulon se adoptimi i robotëve (i matur nga instalimet e reja të robotëve për 1000 punonjës) rritet pas një ngjarjeje pandemike, veçanërisht kur ndikimi në shëndet është i rëndë dhe kur pandemia shoqërohet me një rënie të konsiderueshme ekonomike.

Pse pandemitë çojnë në fuqizimin e robotëve? Stafi i FMN-së sheh dy arsye kryesore.

Së pari, pas goditjeve të mëdha si recesioni, firmat ristrukturojnë biznesin e tyre dhe rregullojnë prodhimin drejt teknologjive që ulin kostot e punës. Së dyti, firmat mund të preferojnë robotët, sepse ata janë të imunizuar nga rreziqet shëndetësore. Pasiguria e shkaktuar nga pandemia gjithashtu shton stimujt për automatizimin, pasi firmat përpiqen të sigurohen se mund t’i rezistojnë pandemisë tjetër.

Rritja e robotëve dhe pabarazia

Robotët nuk prekin të gjithë punëtorët në të njëjtën mënyrë. Punëtorët me aftësi të ulëta janë më të rrezikuar nga zhvendosja drejt robotëve sesa punëtorët me aftësi të larta, gjë që përforcon dinamikën ekzistuese të pabarazisë.

Duke parë të dhënat në nivel vendi dhe një kampion të madh, zbulohet se pas një pandemie rritja e pabarazisë, e matur nga koeficienti Gini, për një periudhë afatmesme është më e madhe ku adoptimi i robotëve të rinj është rritur më shumë. Rezultatet e FMN-së sugjerojnë që përshpejtimi i robotizimit është një kanal i rëndësishëm përmes të cilit pandemitë shpien pabarazinë në nivele më të larta.

Me sytë nga e ardhmja, një nga përfundimet e studimit është se ndërsa automatizimi dhe robotizimi po përshpejtohen nga nivele ende të ulta, ka të ngjarë të bëhen faktorë akoma më të rëndësishëm të pabarazisë në të ardhmen. Nëse nuk kontrollohen, pabarazitë në rritje mund të çojnë në ankesa afatgjata dhe përfundimisht në trazira shoqërore, duke formuar një rreth vicioz.

FMN sugjeron se politikbërsit duhet t’i kushtojnë vëmendje parandalimit të efekteve negative në jetesën e më të rrezikuarve, duke adaptuar politika të përshtatshme për tregun e punës.

Ndërsa automatizimi intensifikohet pas COVID-19 dhe transformon vendet e punës, më shumë punëtorë do të duhet të gjejnë punë të reja, veçanërisht ata që janë më pak të aftë. Politikat për të zbutur rritjen e pabarazisë përfshijnë reformimin e arsimit për të përmbushur kërkesën për grupe më fleksibël të aftësive, dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe trajnime – veçanërisht për punëtorët më të prekur. Një shembull i mirë është iniciativa e Singaporit SkillsFuture, e cila promovon të mësuarit në të gjitha fazat e jetës për të adresuar sfidat e sjella nga ndryshimet teknologjike.

Këto masa mund të jenë të pamjaftueshme nëse trajnimi përfshin marrjen e një aftësie thelbësisht të ndryshme, të re, gjithpërfshirëse dhe sfiduese, duke rritur mundësinë e braktisjes së tyre. Prandaj është e rëndësishme për politikëbërësit të marrin në konsideratë mënyrat për të adresuar sfidat sociale afatmesme, përfshirë përmes rrjeteve të forcuara të sigurimeve shoqërore.

Ndërsa robotizimi është i pashmangshëm, rezultati i shpërndarjes së tij do të varet nga politikat. Një shoqëri që është më e gatshme të sigurojë mbështetje për ata që kanë mbetur mbrapa, mund të mirëpresë një ritëm më të shpejtë të inovacionit, ndërsa siguron që të gjithë anëtarët e shoqërisë të jenë në gjendje më të mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë