Vende dhe Udhetime

Udhëtim përmes artit të rrugës

Arti  i rrugës është muzeu në qiell të hapur i një qyteti. Jo vetëm tërheqës për t’u parë, shpesh funksionojnë edhe si një portë për shqetësimet sociale, kulturore apo politike,  të mjedisit ku shfaqet . Megjithëse, një vepër të bukur arti në një mur të qytetit, mund ta mbërthesh në foto, ta ngarkosh në Instagram dhe të vazhdosh rutinën tënde, arti më i miri i rrugës meriton të ndalesh  pak çaste për të menduar domethënien e tij. Ja shtatë qytetet më të mirë të botës për të kërkuar art rruge me vetëdije.

Kjo murale në Porto Riko shfaq mbërritjen e Kristofer Kolombit në një deti gjaku dhe vdekjeje. 

Shën Huan, Porto Riko

Prezantuar më  2010-ën, festivali i artit të rrugës Santurve Es Ley  ndez një shkëndijë në lagjen e harruar Santurce të Shën Huanit, duke e shndërruar në një destinacion të rëndësishëm arti. Por muralet që mbulojnë ndërtesat këtu nuk janë thjesht letra muri: shumë synojnë çështjet bashkëkohore dhe historike të Porto Rikos.

Kjo murale në  Bogotá, Kolumbi, nga  Toxicómano, në bashkëpunim me  DJ Lu, Lesivo, dhe Guache.

Bogota, Kolumbi

Jehona e vazhduesme e historisë së Kolumbisë e informon artin e rrugës së Bogotasë me vetëdije politike dhe,  ngjarjet e fundit ndikojnë në mënyrën si prodhohet. Fill pas protestave  mbi të shtënat fatale të policisë mbi një artist adoleshent më  2011-ën, Bogota e dekriminalizoi artin e rrugës gjerësisht, duke lejuar lulëzimin e muraleve të përpunuara.

Dyshja iraniane në mërgim, Icy dhe Sot, shfaq fëmijë monokromatikë nën një shi ngjyrash. 

Uilliamsburg, Nju Jork

Një lagje shpesh e përshkruar si epiqendra e trendit, Uilliamsburg pashmangshëm i tërhet turisët duke përdorur artin e rrugëve si sfond për selfie. Shihni më thellë dhe zbuloni vepra që përshkruajnë fytyrat e ndryshme të njerëzimit që përbëjnë materialin e qyteteve tona.

Një figurë pande nga artisti Leo Lunatic zbukuron fasadën e një pallati në Distriktin Galata, në Stamboll, Turqi.  

    Stamboll, Turqi

“Stambolli është një amalgamë kulturash”, shprehet një artist vendas, Leo Lunatic. “Multikulturalizmi dhe diversiteti janë të ndërfutura në shoqërinë e Stambollit dhe mënyrën si e sheh botën. Pavarësisht gjendjes aktuale politike në rajon dhe domethënies sonë gjeopolitike, ne si artistë, zgjedhim të mbetemi kryesisht jo politikë. Artistë do të krijojnë, më së shumti, diçka që promovon paqe, duke denoncuar luftën apo duke përshëndetur lehtë preferencat politike” .

Graffiti në rrugën  Mohammed Mahmoud është përkujtues i dhunës, në revolucionin e vitit 2011. 

Kajro, Egjipt

Revolucioni egjiptian më  2011-ën ndezi shpërthimin e artit të rrugës ndikuar politikisht, siç Kajro nuk kish parë kurrë më parë. Shtampa, portrete të aktivistëve dhe karikaturat e figurave autoritare mbuluan sipërfaqet rreth sheshit Tahrir, veçanërisht në  rrugën  Mohammed Mahmoud, ku muri i Universitetit Amerikan, në Kajro,  u përdor nga aktivistët si “gazetë”.

Një murale  nga Roa shfaq dy elefantë, në një godinë në Bangkok, Tajlandë.

   Bangkok, Tajlandë

Bangkoku u ofron vizitorëve  mundësinë për të parë artin e rrugës nga një kënd i pazakontë: nga uji. Muralet e krijuara gjatë Festivalit të Arteve Urbane Bukruk shfaqen gjatë udhëtimit, në tragetin publik Chao Phraya Express, nga  Tha Thien Pier drejt Urës së Mbretit Taksin.

Artisti Roa ka pikturuar një balenë,  të ndarë më dysh në një mur ndërtese, në Stavanger, Norvegji. 

Stavanger, Norvegji

Çdo vit, banorët  dalin vullnetarë për të dhënë  muret e shtëpive të tyre apo të bizneseve për artistët që marrin pjesë në festivalin e artit të rrugës Nu Art  në Stavanger. Askush nuk e di se çfarë do të prodhojnë artistët, por bien dakord ta lënë veprën e artit në vend për të paktën një vit. Shpesh, rezultati është një bisedë rreth çështjeve vendase të  interpretuara në hapësirë publike.  

*Nga  Karen Gardiner / National Geographic Travel


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë