Politike

Gjyqi me Becchetti-n për 110 mln eurot, Rama: Nuk ka përfunduar

Kryeministri Edi Rama thotë se beteja ligjore me investitorin italian, Francesco Becchetti nuk ka përfunduar, duke hedhur poshtë lajmin e publikuar nga Zëri i Amerikës, ku thuhet se Shqipëria ka humbur përfundimisht gjyqin për 110 mln eurot që pretendon italiani.

Përmes dy postimeve të njëpasnjëshme në Twitter, kreu i Qeverisë akuzon Presidentin dhe opozitën se po i gëzohen parakohe këtij lajmi.

“Gëzimi sharlatanesk i Presidentit mendjehumbur dhe i partisë që për pushtet po infekton përditë shqiptarët, do të zgjasë pak dhe ata do të humbasin, jo Shqipëria, e cila siç po fiton mbi Armikun e Padukshëm, do të fitojë edhe mbi Marifetçiun e Paskrupullt”, shkruan ai.

Rama thotë se Shqipëria ka fituar 3 nga katër gjyqet ndaj Becchetti-it, duke kujtuar se ky i fundit është i kërkuar nga drejtësia shqiptare.

“Gëzimi i Ilir Metës dhe i Lulepartisë për vendimin e padrejtë të arbitrazhit në favor të një individi që kërkohet nga drejtësia shqiptare është sa i neveritshëm, aq dhe i parakohshëm! Shqipëria ka fituar tre nga katër gjyqet ndërkombëtare ndaj këtij marifetçiu dhe beteja vazhdon!”, shkruan ai në postimin e dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë