Politike

Gjyqi i humbur me Beketin, reagon Meta: SPAK-u të nisë hetimet për këtë dëm të madh

Pas lajmit të gjyqit të humbur me italianin Françesko Beketi nga Shqipëria, që duhet t’i paguajë biznesmenit shumën e 110 milionë eurove, ka reaguar ashpër me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Mes të tjerash, kreu i shtetit shprehet se ky gjyq i humbur është pasojë e kapriçove të kryeministrit Edi Rama. Meta ka edhe një thirrje për SPAK-un, që të nisë hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik që do të paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Postimi i Presidentit Meta
E kam paralajmëruar prej kohësh Qeverinë ende në detyrë të heqë dorë nga arroganca dhe të tërhiqet nga çdo vendim abuziv e jashtë procedurave ligjore ndaj investitorëve të huaj në vendin tonë. Vetëm për tekat dhe kapriçot personale të Kryeministrit, i cili e urren edhe lirinë e medias, tashmë Shqipëria është e detyruar të paguajë 110 milion euro.

Skandali merr përmasa më të mëdha, për shkak se Avokatura e Shtetit e ka gënjyer Presidentin e Republikës, duke pretenduar se nuk e ka humbur gjyqin me kompaninë në fjalë, madje duke fshehur informacion. Në këto kushte, i bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të nisë urgjentisht hetimet penale për këtë dëm të madh ekonomik të shkaktuar shtetit dhe që do paguhet fatkeqësisht me paratë e të gjithë taksapaguesve shqiptarë.

Është koha që Drejtësia të vendosë para përgjegjësisë ligjore të gjithë shkaktarët e këtij dëmi ekonomik, edhe për të parandaluar në të ardhmen dëme më të mëdha për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit shqiptarë, për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me pushtetin të zyrtarëve të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë