Treg

Padija ndaj virusit e ngriti në fron portokallin, ilaçet e rrëzuan atë

Tregtari: “Gjatë ditëve të karantinës, në total unë fitoja në ditë rreth 250 mijë lekë të vjetra, nga të cilat, 170 i siguroja vetëm duke shitur portokalle. Tani, xhiroja ime ditore është 40 mijë lekë të vjetra ku me portokalle mund të fitoj vetëm 2 ose 3 mijë lekë.
Padija ndaj virusit e ngriti në fron portokallin, ilaçet e rrëzuan atë

Nga Megi Iskurti - Në kohën kur shpërtheu pandemia dhe mediat njoftuan se “u kap”pacienti zero, shqiptarët e paditur si e gjithë bota, se si duhet të luftonin me këtë virus të frikshëm vdekjeprurës që quhej Covid-19, rendën drejt tezgave me portokalle.

Lajmet që vinin nga jashtë mjaftonin për të kuptuar se  “koronavirusi” rrëzonte imunitetin, dhe kush më shumë se vitamina C tek portokalli mund të na mbronte atëherë veç maskës dhe distancimit fizik.

Në kohën kur filluan  të numëroheshin të infektuarit e parë dhe shumë shpejt dhe të vdekurit, nutricionistët dhe mjekët sugjeronin konsumin e portokallit për faktin se vitamina e tij C, rrit prodhimin e antitrupave si dhe shton rruazat e bardha të gjakut të cilat eleminojnë qelizat e infektuara.

Mjekët nga ana e tyre ishin shumë të kufizuar për të dhënë receta përcaktuese me medikamente kundër Covid-19. Askush në fakt nuk e dinte, edhe pse thuhej që ngjante me një grip të zakonshëm.

Ndaj,në vend të ilaçeve,por edhe për tu mbrojtur nga infektimi me covid-19, kura e vetme ishin portokallet.

Disa farmacistë  nga “Farmanet”, “Enafarma”dhe “Farmaci Rama”,  duke u kthyer pas në kohë, i thanë gazetaSi.al  se dikur pati shumë kërkesa për paracetamol. Depot u zbrasën shpejt dhe raftet në shtëpi u mbushën me paracetamol, takipirinë dhe... sigurisht shumë portokall.  

Tregtarët e pyetur sot, kujtojnë se si njerëzit u dyndën nëpër tregje duke blerë portokalle me shumicë për t’u siguruar që do të kishin gjendje të tyre në shtëpi për disa ditë rradhazi.

Ata u gjendën të papërgatitur nga ky “bum” i madh kërkese dhe arkat e tyre boshatiseshin sapo vinte orari ku njerëzit lejoheshin që të dilnin nga shtëpia.

Në tregun “Dinamo”,  një ndër më të mëdhenjtë në kryeqytet, një kilogram portokall gjatë karantinës shitej me 200 lekë. 

Por tani situata nuk është si më parë. Edhe pse numrat e të infektuarve dhe vdekjet në ditë janë më të larta, kërkesa për portokall ka rënë ndonëse  çmimi ka zbritur  deri në 70 lek nga 200 lekë për kilogram që ishte në të njëjtën kohë një vit më parë.

Viktor Kondatçiu, një tregtar, stenda e të cilit ishte e vendosur në fillim të tregut, i tregoi gazetaSi.al se konsumi i portokalleve ishte ulur drastikisht tek ai.

“Gjatë ditëve të karantinës, në total unë fitoja në ditë rreth 250 mijë lekë të vjetra, nga të cilat, 170 i siguroja vetëm duke shitur portokalle.

Tani, xhiroja ime ditore është 40 mijë lekë të vjetra ku me portokalle mund të fitoj vetëm 2 ose 3 mijë lekë.

Portokallin e vendit e shes me 70 lekë të reja ndërsa portokallin me shegë e shes me 80.

Ka rënë ndjeshëm konsumi, siç duket njerëzit nuk e kanë më aq frikë virusin dhe tani nuk janë më aq të fiksuar me vitaminën C. Janë mësuar me këtë situatë.

Atëherë unë shkoja thuajse çdo dy ditë për furnizim ndërsa tani ka 8 ditë që nuk kam shkuar.”

Disa metra më poshtë, një zonjë rreth të pesëdhjetave po shiste sëbashku me bashkëshortin e saj.

Hyrije quhej, dhe tregoi për gazetën “Si.al” që edhe në stendën e saj njerëzit nuk blinin më aq portokalle sa më parë.

Gjatë ditëve të karantinës, fitimin më të madh e kishte pasur nga shitja e tyre ndërsa tani nuk mund të thoshte më të njëjtën gjë.

“Para dy ditësh e shisja kilogramin e portokalleve me 80 lekë por sot e ula 70.

Nuk ka blerë ende asnjë njeri edhe pse është ora një e drekës. Çfarë të bëj? Nuk e ul dot më shumë se dhe ne me para i blejmë.

Nuk na ngelet asgjë për të fituar. Nga 200 që e shisja në karantinë, e ulëm me 100 dhe tani me 70. Njerëzit nuk po blejnë më.”

Edhe pse është fruti që ka sezonin tani dhe Covid-19 ende nuk është larguar, qytetarët e kanë ulur ritmin e konsumit të tij.

“Derisa të dalë në treg qershia, portokalli është për momentin. Ne jemi treg me shumicë dhe tek të gjithë shitësit këtu, portokalli po shitet shumë më lirë se sa në dyqane specifike nëpër lagje por sërish njerëzit nuk po e blejnë.

Në karantinë unë e shisja me arka, 5-7 arka në ditë ndërsa sot mezi po shes 2 kilogramë”- tregoi Selim Doçi, një tregtar që kishte 15 vite që merrej me tregti.

“Në gjithë vitet e punës time, kurrë nuk është shitur portokalli aq shumë sa në karantinë. Më ngeleshin arkat bosh dhe ndonjëherë nuk më tepronte as për në shtëpinë time.

Shumë nga klientët e mi më të rregullt më mbeteshin pa furnizuar sepse në orarin kur lejohej lëvizja dyndeshin të gjithë duke e blerë. Tani ata më thonë që kështu si ka ardhur puna, nuk do i shpëtojnë portokallet.”- e përfundoi fjalën ai.

Kur largohesh nga tregu dhe merr rrugën drejt lagjeve të ndryshme të Tiranës, vëren menjëherë rritjen e çmimit të portokalleve.

Në hyrje të “Ali Demit”, një dyqan i vogël fruta-perimesh e shet kilogramin e portokallit me 130 lekë.

E zonja e dyqanit, M.B, tregoi për gazetaSi.al që portokalli shitet me atë çmim sepse lagjja është e shtrenjtë dhe sipas saj standardet aty janë më të larta.

Ashtu si tek tregtarët e tjerë, edhe në dyqanin e saj ulja e konsumit të portokalleve nuk bënte përjashtim.

“Çdo ditë e më shumë po ulet konsumi i tij. Nga portokallet bëja 300 mijë lekë të vjetra xhiro ditore në karantinë, ndërsa tani bëj 6.

Është diferencë e madhe, në karantinë e shisja me 3 mijë lek të vjetra kilogramin.

Kisha një kliente që rreth para dy muajsh blinte portokalle rregullisht. Kur e pyeta para dy ditësh se përse nuk blinte më si më parë, më tha që tashmë ishte mësuar me faktin që kemi Covid-19 rrotull nesh dhe nuki bënte më përshtypje, nuk besonte që do e mbronte më konsumi i përditshëm i tij.”-tha ajo.

Dyqanet po na tregojnë që qytetarët nuk janë më aq shumë të fokusuar tek konsumi i portokalleve dhe frika ndaj Covid-19 nuk është më aq e lartë sa më parë.

Në fillim të pandemisë, qytetarët nuk ishin të sigurt dhe të informuar për medikamentët që do i mbronin nga Covid-19  dhe u fokusuan tek konsumi “bio” duke i kushtuar shumë rëndësi këtij të fundit.

Mirëpo tani ka kalur 1 vit dhe ne kemi më shumë “armë” për të shpëtuar : më shumë njohuri për tu mbrojtur , më shumë medikamente efikase dhe sigurisht kemi armën më të fortë, vaksinën.

I.Shehu, një doktoreshë e specializuar në Amerikë që aktualisht punon si mjeke familje, tregon që në fillim të pandemisë i orientonte pacientët e saj vetëm drejt paracetamolit dhe portokalleve për shkak të përballjes me mungesën e informacionit.

Pas një viti, ajo i orienton më së shumti drejt multivitaminave.

Tani,thonë farmacistët, në vend të portokallit kërkesa është zëvendësuar me medikamente që kanë një kombinim të alternuar të vitaminës C, D3 dhe zink.

Sa më shumë mësuam për virusin aq më shumë e zbritëm nga froni  portokallin.

Ai nuk shitet më si më parë edhe pse këshillohet të jetë gjithnjë në tavolinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë