Treg

Bizneset e shërbimeve vazhduan me rënie dhe në fund të 2020-s

Fundi i 2020-s ishte njësoj si i gjithë viti 2020 për agjencitë turistike, hotelet, baret, restorantet, transporti dhe aktiviteti postar dhe magazinues që vazhduan të përballeshin me rënie të shitjeve, të të punësuarëve dhe të fondit të pagave.

Sipas Instat, tregtia me shumicë dhe pakicë, komunikacioni dhe arkitektura e mbyllën 2020-ën me përmirësim të dukshëm në krahasim me një vit më parë. 

Agjencitë turistike u përballën me rënien më të madhe të sektorit të tretë, ku aktiviteti i shitjeve u ul me 66.4%, numri i të punësuarëve me 25.3% dhe fondet e pagave me 18.8%, krahasuar me fundin e 2019-ës.

Hotelet pësuan rënie me 40.9% në indeksin e shitjeve, rënie me 29.4% tek numri i të punësuarëve dhe 27% në fondin e pagave krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Baret dhe restorantet ulën me 19% shitjet, me 18% numrin e të punësuarëve dhe me 16.7% fondet e  pagave, në krahasim me 2019-ën.

Volumi i shitjeve të aktivitetit postar, ku përfshihet edhe transporti shënoi rënie 17.8 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2019, numri i të punësuarve shënoi rënie 2.3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe fondi i pagave shënoi rënie 7.2 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2019.

Tregtia me pakicë dhe shumicë rriti shitjet me 3.2%, të punësuarit me 0.9%  dhe fondin e pagave me 2.4%, krahasuar me një vit më parë.

Shërbimet e Komunikacionit pësuan rritje të shitjeve me 1.8%, të punëtorëve me 5.2% dhe të fonidt të pagës me  4.1%, në krahasim me tremujorin e fundit të 2019-ës.

Aktiviteti arkitekturor pësoi rritjen më të madhe me 54.1% në volumin e shitjeve, 5.8% në numrin e punëtorëve dhe 5.7% rritje në fondin e pagave, krahasuar me një vit më parë në të njëjtën periudhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë