Treg

Inputet bujqësore me çmime të larta, Autoriteti i Konkurrencës hap hetim

Autoriteti i Konkurrencës (AK) hapi një hetim paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore për të evidentuar kushtet e tregtimit të këtyre produkteve.

Nga monitorimi rezultoi se disa ndërmarrje gëzojnë të drejta ekskluzive në tregtimin e produkteve të mbrojtjes së bimëve.

Këto ndërmarrje kanë realizuar importe të përbashkëta dhe kanë siguruar gjendje të produkteve në magazinë duke i shitur ato me çmime shumë më të larta se kostot e blerjes së tyre.

Në një situatë të tillë, Autoriteti i Konkurrencës ka ngritur dyshime të arsyeshme se mes këtyre ndërmarrjeve ka elementë të një sjelljeje të bashkërenduar, e cila mund të përbëjë kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës në treg.

Ai gjithashtu ka vlerësuar se ekziston rreziku i kryerjes së një dëmi  të pariparueshëm ndaj konkurrencës dhe urdhëroi  këto ndërmarrje që  t’i japin fund bashkëpunimit mes tyre. 

Në rast të moszbatimit të vendimit , ndërmarrjet mund të ndëshkohen me gjobë deri në 10 % të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës.

Megjithatë, vendimi i AK nuk i saktëson emrat e ndërmarrjeve nën hetim dhe subjekt i masave të përkohshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë