Lojërat Olimpike dhe Para-Olimpike, të parashikuara për t’u mbajtur në Tokio këtë verë, pritet të zhvillohen pa praninë e spektatorëve të huaj. Lajmin e jep agjencia e lajmeve në Japoni, që citon burime brenda qeverisë dhe komitetit organizativ. Qeveria dhe komiteti organizator japonez i Lojërave Verore pritet të zhvillojnë një takim me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe dy organe të tjerë javën e ardhshme për të marrë një vendim zyrtar mbi çështjen e spektatorëve të huaj.
Situata e krijuar nga koronavirusi dhe frika se ardhja e njerëzve nga vende të ndryshme të botës do të shtojë edhe më shumë numrin e të prekurve e madje mund të nxjerrë nga kontrolli situatën, ka detyruar qeverinë japoneze të marrë këtë vendim. Lojërat Olimpike të Tokios duhej të mbaheshin verën e kaluar, por u shtynë për shkak të koronavirusit, ndërsa këtë verë pritet që në impiantet sportive të ketë vetëm tifozë japonezë. Kjo do të ulte jo pak të ardhurat që qeveria japoneze kishte parashikuar të përfitonte nga ky event, megjithatë rreziku i përhapjes më të madhe të koronavirusit, duket se ka justifikuar këtë vendim.
Një sondazh i kryer së fundi në Japoni në lidhje me organizimin e Lojërave Olimpike “Tokyo 2020” ka dhënë një rezultat befasues. Shumica e qytetarëve, 63%, kërkojnë një tjetër shtyrje të këtij eventi olimpik, ose anulimin e tij. Sipas sondazhit, 32% e qytetarëve të intervistuar kanë thënë se Olimpiada duhet të anulohet përfundimisht, ndërsa 31% kanë kërkuar që ajo të shtyhet sërish. Vetëm 37% e qytetarëve kanë qenë dakord që ajo të zhvillohet në verën e vitit 2021.
Sondazhi është kryer vetëm me banorët e Tokyos, qytet ku do të zhvillohet Olimpiada. Sondazhi sqaron gjithashtu se qytetarët janë ende të frikësuar nga pandemia Covid-19, që është ende në përmasa të mëdha në këtë vend. Lojërat Olimpike të Tokios do të zhvillohen nga data 23 korrik deri më 8 gusht, ndërsa ato Para-Olimpike do të startojnë më 24 gusht dhe do të zgjasin deri më 5 shtator.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




