Treg

Mashtrimi / Porosit 30 mln euro bakër, merr 10 mijë tonë gurë

Autoritetet turke njoftuan se kanë nisur hetimet ndaj një grupi personash që dyshohet se qëndrojnë pas një skeme mashtrimi që i shiti kompanisë zvicerane “Mercuria Energy Group”, gurë në vend të bakrit me një vlerë rreth 30 milionë euro.

Hetimet kanë nisur pasi kompania me bazë në Gjenevë deklaroi se kishte rënë pre e mashtrimit për blerjen e 10 mijë tonëve bakër nga kompania turke “Bietsan Bakir”. Malli ishte porositur për degën e kësaj kompanie në Kinë.

Por, në vend të bakrit në Kinë kanë mbërritur 10 mijë tonë gurë, të lyer me ngjyrën e metalit të çmueshëm, që kompania zvicerane kishte porositur për nevojat e saj.

Kompania turke “Bietsan Bakir” është mbrojtur duke deklaruar se ajo ka respektuar kontratën dhe përmes dokumentacioneve të inspektimit të kryera gjatë nxjerrjes së bakrit nga fabrikat e saj thotë se provon se ka nisur metalin sipas porosisë së blerësit.

Dyshimet janë që malli është ndryshuar në portet e Stambollit para ngarkimit në anijet e transportit. Autoritetet besojnë se grupi i personave nën hetim kanë hequr bakrin nga kontenierët dhe e kanë zëvendësuar atë me gurë të lyer me bojë të ngjashme me metalin.

“Mercuria” është një prej pesë kompanive më të mëdha në botë të tregtimit të karburanteve. Për të marrë mbrapsht 30 mln eurot e paguara për bakër, kjo kompani ka ngritur padi në Turqi dhe në Britaninë e Madhe kundër kompanisë turke “Bietsan Bakir”.

“Personat e dyshuar janë marrë nën hetim si pjesë e një grupi të organizuar kriminal që qëndron pas skemës së mashtrimit të kompanisë Mercuria”, tha në një deklaratë kompania me bazë në Zvicër, duke falenderuar autoritetet turke të hetimit të krimit financiar për reagimin e shpejtë.

Kompania thotë se u detyrua që të ngrejë padi edhe pas zbulimit se siguracioni i paguar për transportin e mallit ishte i falsifikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë