Qeveria greke ka zgjatur deri më 22 mars mbylljen e kufijve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke fuqizuar edhe kontrollet kufitare dhe masat parandaluese.
Këtë të hënë, në fuqi kanë hyrë masa më të rrepta në vendkalimet në Kakavijë, të cilat punojnë nga ora 7 deri në ora 19 sipas kohës lokale, duke lejuar të hyjnë vetëm 400 persona në ditë. Ndërkohë Kapshtica vazhdon të jetë e mbyllur dhe nga kjo pikë kufitare lejohet vetëm hyrja për në Shqipëri.
Greqia imponon një karantinë të detyrueshme prej 14 ditësh për të gjithë shqiptarët që hyjnë në vend.
Në Kakavijë, të gjithëve u bëhet një test i shpejtë, duke përfshirë dhe shoferët e kamionëve, të cilët nëse rezultojnë pozitiv, nuk do t’u lejohet të hyjnë.
Zgjatja e kufizimeve vjen një ditë pasi dy raste të infektuar me mutacionet e reja të COVID janë zbuluar në Atikë të Greqisë duke ngritur alarm te autoritetet shëndetësore. Mediat greke raportojnë se dy rastet e reja janë prekur nga varianti i Afrikës së Jugut dhe ai i Brazilit. Ekspertët thonë se mutacionet janë veçanërisht të rrezikshëm dhe më rezistent ndaj vaksinave që janë zhvilluar deri më tani,
Situata e pandemisë në Greqi është rënduar veçanërisht në ditët e fundit duke sjellë rritje të shtrimeve në spitale ndërsa shifrat nuk njohin ulje pavarësisht masave të marra. Sipas ekspertëve kjo konfirmon prezencën e mutacioneve të COVID në vend, veçanërisht atij britanik.
Mutacioni britanik, i cili është 50% më ngjitës, ka mbizotëruar në shumicën e rasteve. Në Atikë dhe Kretë, 9 në 10 raste janë me variantin britanik, ndërsa ekspertët u alarmuan pasi rastet u identifikuan me një kombinim të mutacioneve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




