Ashtu si në Olimpiadën e kaluar në Rio de Janeiro në 2016, edhe në edicionin e kësaj vere Majlinda Kelmendi është pretendente për medalje ari. Në Grand Slamin mbajtur në Tel Aviv të Izraelit, Kelmendi i solli Kosovës medalje të bronztë. Së fundmi Kelmendi deklaroi se viti 2021 ka filluar mirë për atë dhe se do të vazhdojë të përgatitet për Olimpiadën “Tokyo 2020”, e cila pritet të mbahet këtë vit.
“Realisht e kam filluar mirë vitin 2021, vitin ku do të mbahet Olimpiada. Në Izrael nuk mund të them që jam ndier aq mirë, nuk e di as vet, nuk ka shkuar ashtu siç e kam pritur. Nuk isha mirë atë ditë, as fizikisht nga ana emocionale. Sigurisht jam e lumtur, secila medalje është e mirëseardhur, secila pikë është e mirëseardhur në këtë cikël të fundit olimpik, në këtë vit të fundit, kështu që në përgjithësi po shkon mirë, po shpresoj shumë që… ato përgatitjet bazike për Olimpiadë do të shkojnë si duhet. Shpresoj që nuk do të kem probleme me dëmtimet dhe po besoj gjithçka do të jetë si duhet”, tha Kelmendi.
Javë më parë, trajneri i xhudos Driton Kuka, kishte deklaruar se viti 2021 mund të jetë pjesëmarrja fundit për Majlinda Kelmendin në një eveniment si Olimpiada. Një fakt të tillë nuk e mohon as vetë Kelmendi, e cila shprehet se do të vendosë pas Lojërave Olimpike për të ardhmen e saj.

“Jo, do të shohim pas Lojërave Olimpike, ta shohim si do të shkojë. Sigurisht pas Lojërave Olimpike do të kem një pushim ndoshta pak më të gjatë, pastaj do të shoh si do ndihem. Në këtë nivel ku gjendem duhet të jetë motivi shumë i madh, nuk është e lehtë të stërvitesh dhe të vazhdosh të garosh kur i ke të gjithë titujt, kur ke arritur gjithçka çfarë mundet një sportist të arrijë në sport, kështu që të shohim pas Lojërave Olimpike”, theksoi Majlinda Kelmendi.
Majlinda Kelmendi gjatë karrierës së saj i ka dhënë Kosovës tetë medalje ari në gara të ndryshme, ndërsa kulmin e ka arritur në vitin 2013, kur është shpallur kampione e botës në Rio de Janeiro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




