Shitja e Vllaznisë tashmë ka më në fund një date të saktë se kur do të mbyllet procesi i pranimit të ofertave dhe fillimi i shqyrtimit të tyre për të mësuar se kush do të jetë pronari i ri i klubit shkodran. Data e fundit e caktuar për pritjen e këtyre ofertave është me 9 mars dhe pastaj do të jetë komisioni i ndërtuar në bashkëpunim mes Bashkisë së Shkodrës dhe FSHF-së ai që do të përcaktojë se cilat oferta duhen marrë në konsideratë për garën finale.
Vlera fillestare e aksioneve do të jetë 50.7 milion ose 506 milion lekë të vjetra, përafërsisht 500 mijë dollarë. Ndërkohë, marrja e dokumentacionit të nevojshëm për të marrë pjesë të tender, kushton 2 mijë lekë ose rreth 20 dollarë. Ankandi tashmë është i hapur, teksa kanë nisur edhe interesimet e para. Mes tyre është edhe ish-presidenti Valter Fushaj, që deklaroi hapur se dëshiron të blejë pjesën më të madhe të aksioneve.
Disa ditë më parë, përmes një urdhri të kryetares së Bashkisë Shkodër, u caktua edhe Njësia e Ankandit. Kryetar do të jetë Ardit Çylybyli, nënkryetar i Bashkisë Shkodër, Vinifreda Gazulli përgjegjëse e Sportit në bashkinë Shkodër, Manjola Fushaxhija si dhe dy përfaqësues të FSHF- së, Aldi Topçiu dhe Kristaq Ndini.
Vllaznia është nga ato klube në vendin tonë që janë 100% pronë e bashkisë së qytetit. Prej pak kohësh është afruar sponsori Alban Xhaferi, sigurisht i interesuar për privatizimin e klubit, ndërsa më parë kanë kontribuuar si presidentë i ndjeri Myftar Çela dhe më pas Agron Çela dhe Valter Fushaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




