Futboll

Veteranët e Kosovës dhe Shqipërisë ndahen në barazim në Prishtinë

Vëllazërorja e veteranëve të Kosovës edhe atyre të Shqipërisë në futboll është mbyllur me rezultatin e barabartë, 0-0. Ndeshja e luajtur në stadiumin “KF 2 Korriku” të Prishtinës, që u organizua me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka përfunduar pa fitues, sepse askush nuk mundi të shënonte.

Kombëtarja e veteranëve të Shqipërisë u përfaqësua me këta lojtarë: Blendi Nallbani, Artur Lekbello, Elvin Beqiri, Nevil Dede, Ervin Fakaj, Ansi Agolli, Armend Dallku, Debatik Curri, Klodjan Duro, Altin Lala, Alban Bushi, Erjon Bogdani, Agustin Kola, Bedri Omuri, Ardjan Aliaj, Afrim Tole, Altin Haxhi, Geri Çipi, Hysen Zmijani, Redi Jupi dhe Skënder Gega.

Ndeshjen e ndoqi nga afër edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili tha: “Është kënaqësi e madhe t’i shohësh yjet e futbollit shqiptarë sërish në fushë. Ne si Federatë e organizuam këtë ndeshje në kuadër të aktiviteteve shtetërore për Ditën e Pavarësisë. Besoj se në të ardhmen ndeshjet e tilla do të kemi mundësi t’i organizojmë me praninë e tifozëve, ngase këto yje të futbollit na kanë dhënë emocione të mëdha ndër vite”.

Agim Ademi, presidenti i Federatës së Kosovës në Futboll. Gazeta Si, 16 shkurt 2021

Ka folur pas ndeshjes edhe ish-kapiteni i Shqipërisë, Altin Lala: “Ishte një ndeshje vëllazërore dhe besoj se do të bëhet çdo vit. Shpresojmë që në të ardhmen të zhvillohen me shikues dhe të shndërrohen në spektakle futbolli. Kosova ishte në gjendje më të mirë fizike, sepse lojtarët duket se aktivizohen më shpesh, por rëndësi ka fakti që gjithçka kaloi mirë dhe pa dëmtime.

Vij shpesh në Kosovë dhe kam parë ndryshime shumë pozitive. Madje, do të thosha se edhe Shqipëria duhet të marrë shembull nga Kosova, pavarësish se është shtet i ri. I uroj gjithë të mirat Kosovës dhe sa më parë të bëhet edhe liberalizimi i vizave, sepse do të ishte gjë shumë e mirë për qytetarët e saj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë