Nga Blerina Goce-Ai është artist. Prodhues djathi. Stilist. Student. Biznesmen. Ai mund të jetë njëkohësisht diçka nga të gjitha dhe në të njëjtën kohë të zgjedhë të jetë apo të mos jetë, ai që është në të vërtetë. Kjo është ajo që Endri, një djalë në të 20-at, i cili kalon një kohë të konsiderueshme duke lundruar në internet, bën në realitetin virtual, ndërsa komunikon me vajza të ndryshme dhe ndryshon identitetin apo profesionin e tij.
Në të përditshmen e tij, ai është një djalë normal, që i do dhe i përdor shumë pajisjet teknologjike e falë tyre ka shtuar edhe “rrethin e njohjeve”.
“Ekzistojnë shumë dhoma chat-i, ku mund të komunikosh e të lidhesh me njerëzit. Është e bukur dhe e thjeshtëzon komunikimin”, thotë ai.
Në këtë mënyrë, Endri ka krijuar edhe njohje intime me disa vajza e madje përmes internetit, ka njohur edhe të dashurën e tij aktuale.
E vërteta është se marrëdhëniet njerëzore kanë ndryshuar thelbësisht me zhvillimin e teknologjisë.
Interneti dhe teknologjia kanë ndryshuar mënyrën se si të rinjtë e shohin botën dhe përveç se kanë lehësuar komunikimin dhe kanë zbutur vetminë e njerëzve, kanë bërë që bota sot të jetë thuajse krejtësisht e ndryshme nga ajo që ka qenë 30 apo 40 vjet më parë.
“Vajza ime shpenzon pjesën më të madhe të ditës duke komunikuar online me të fejuarin. Ai nuk jeton në Shqipëri dhe marrëdhënia e tyre nuk mund të funksiononte dhe as nuk mund të kuptohej nëse nuk do të flisnin përmes internetit”,- thotë Sonila, ndërsa shton se, ajo vetë nuk e pëlqen këtë lloj varësie të madhe të brezit të ri nga teknologjia, por nga ana tjetër është një lehtësi e madhe për t’u lidhur me njerëzit dhe zgjidh shumë probleme.
Ndërkohë që bota ndryshon përditë, për shkak të zhvillimeve teknologjike e bashkë me të edhe mënyra se si krijojmë dhe zhvillojmë marrëdhëniet njerëzore, një gjë është e sigurt: Tashmë ekziston një gjeneratë e tërë, që nuk mund ta kuptojë marrëdhënien njerëzore pa komunikimin online.
Nuk janë as të pakta çiftet, të cilët janë njohur, lidhur e kanë krijuar familje falë komunikimit në internet.
Ky trend madje ngjan se është rritur edhe mes të rriturve apo atyre, të cilët i përkasin një brezi, që mund ta quajmë të “para-teknologjisë”.
Shumë prej tyre zgjedhin të krijojnë njohje e në disa raste të martohen përmes aplikacioneve të ndryshme të njohjeve në internet.
Për shekuj, martesa ishte një transaksion ekonomik, një mjet për të shkëmbyer pronë dhe për të siguruar transmetimin e saj ndër breza përmes krijimit të trashëgimtarëve të ligjshëm, ashtu siç është akoma në disa pjesë të botës.
Në Perëndim, termi marrëdhënie dashurie përdorej për raporte të vendosura para ose jashtë martesës dhe me të kihej parasysh një lloj marrëdhënieje e papërgjegjshme, e përkohshme, romantike.
Romanca u injektua në martesë vetëm gjatë Revolucionit Industrial ndërsa para kësaj martesa ishte në thelb një kontratë midis dy familjeve.
Me rritjen e punës së paguar dhe një ekonomi industriale të bazuar jashtë shtëpisë, sfera e brendshme u aneksua për romancën. Në disa vende, ky tranzicion ndodhi shumë më vonë.
Dashuria është lejuar të luajë rol më të madh në zgjedhjet e martesave të njerëzve në Kinë vetëm në 40 vitet e fundit. Në Indi, martesat e rregulluara janë ende norma, megjithëse të rinjtë gjithnjë e më shumë bëjnë përcaktimin përfundimtar.
Nuk janë të largëta edhe kohët kur në Shqipëri çiftet martoheshin me shkuesi dhe kur partneri i jetës gjendej jo përmes një njohjeje të thellë romantike paraprake.
Por nga ana tjetër ngjan se “revolucioni” i arritur për “shndërrimin” e dashurisë në marrëdhënie më të thellë dhe në martesë po merr një formë të re.
Aplikacione të ndryshme takimesh në internet bëjnë që shumë të rinj të krijojnë marrëdhënie pragamatike, jo të thella dhe që nuk zgjasin në kohë.
S. është një djalë 32 vjeçar, i cili pohon se për një periudhë të gjatë ka frekuentuar shumë vajza, të cilat i ka njohur përmes internetit. Megjithatë, në një moment të caktuar ai ndjeu se kishte nevojë për një marrëdhënie serioze. Por, edhe në këtë pikë, teknologjia mund të vijë në ndihmë. Shumë aplikacione online janë krijuar jo thjesht për njohje, por edhe me qëllimin e qartë të të krijuarit marrëdhënie serioze.
Këto aplikacione të ndërtuar përmes algoritmeve synojnë të llogarisin e të gjejnë “shpirtin binjak” apo personat që ju përshtaten më tepër.
“Algoritmi ynë mbështetet në më shumë se 30 kategori të dhënash, për të rritur mundësinë që të gjeni personin e duhur, duke ju lehtësuar kërkimin dhe kursyer shumë kohë.
1 KAFE është i dedikuar gjetjes së shpirtit binjak, mikut apo shokut të ri, dhe me një shtrirje globale, mundësitë janë të pafundme.”, – theksohet në një nga këto faqe-aplikacione në gjuhën shqipe.
Ndërsa një tjetër aplikacion në gjuhën angleze, “How to Choose a Goddess” bën përllogaritje të ngjashme përmes pyetjeve të caktuara.
Me të drejtë mund të vërejmë se tashmë modelet e efikasitetit të korporatave qeverisin grupe të mëdha të jetës romantike.
Rreth 65% e çifteve të të njëjtit seks dhe 39% e çifteve heteroseksuale që u krijuan në Amerikë në 2017 ishin takuar në aplikacione takimesh, të cilat përdorin algoritme për t’iu përshtatur atyre.
Familja tradicionale ka filluar të duket e vjetër për shumë të rinj. Shkalla e martesave në SHBA gjatë dhjetë viteve të fundit ka rënë 8% (shumë çifte nuk shqetësohen më që të celebrojnë martesën me një ceremoni).
Edhe në Shqipëri vërehet një ulje e numrit të martesave nga viti në vit. Kështu, sipas të dhënave nga INSTAT, në vitin 2019 janë regjistruar 22.415 martesa në zyrat e Gjendjes Civile, 3,0 % më pak se një vit më pare, gjë që do të thotë se ka pasur 7,9 martesa për një mijë banorë.
Në vitin 2017, Gazeta e Seksit dhe Terapisë Martesore vuri në dukje se një e pesta e amerikanëve raportuan se ishin përfshirë apo ishin dakord të përfshiheshin në një marrëdhënie jo-monogame konsensuale në një moment të jetës së tyre.
Kjo përqindje ishte më e lartë në mesin e popullatës LGBTQ, por ndryshonte gjithsesi me moshën, nivelin arsimor, të ardhurat, besimin fetar, përkatësinë politike, rajonin dhe racën.
Në një kohë që dashuria mund të cilësohet si një lloj misteri që do të ekzistojë për sa kohë ekziston jeta, interneti dhe teknologjia e kanë ndryshuar padyshim formën e shfaqjes së saj.
Nga ana tjetër, marrëdhëniet romantike, pavarësisht emrit, do të vazhdojnë të asociohen me dashurinë, qoftë kjo platonike apo seksuale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.