Teuta dhe Skënderbeu hapën javën e 19-të të Superiores në stadiumin e Durrësit, “Niko Dovana”. Skuadra e trajnerit Edi Martini fitoi 2-0, duke marrë të paktën për një natë vendin e dytë në tabelën e klasifikimit, me 13 pikë, 4 më pak se Vllaznia kryesuese.
Sot do të luhen 4 ndeshjet e tjera, të cilat janë shpërndarë në dy fasha orare. Kështu vëmendja maksimale do të jetë në “Selman Stërmasi” ku Tirana do të presë Kukësin me sfidën që do të startojë në orën 14:00.
Vendi i parë dhe i dytë i sezonit të kaluar kanë zhgënjyer në gjysmën e parë të sezonit dhe janë larg kreut, por do t’u duhet të djersijnë shumë edhe për një vend në zonën europiane, ku gara këtë vit duket shumë e ashpër, me plot 6 skuadra që pretendojnë. Ndërkaq, verilindorët pas disfatës së fundit, presin rikthimin te triumfi për të mos mbetur larg zonës europiane.
Ndërkaq, në Shkodër, Vllaznia kryesuese ka një detyrë shtëpie ndaj Apolonisë. Kuqeblutë, pas tre ndeshjeve pa fitore, duhet të rikthehen të marrin maksimumin pasi ndjekësit janë afruar. Po në orën 14:00 Partizani do të matë forcat me Kastriotin, një skuadër që veçanërisht në fushën e vet ka treguar se është “një kockë e fortë” dhe mund t’i hapë punë çdo ekipi. Krutanët janë në pozita të qeta në renditje, ndërsa kryeqytetasit janë të dënuar të fitojnë, për të mos humbur kontaktet me kreun.
Pas fitores në Shkodër, që e riktheu edhe në garë për titullin kampion, Laçi do të udhëtojë drejt Ballshit, për t’u përballur me Bylisin, të shtunën në orën 14:00 në stadiumin “Adush Muça”.
Bardhezinjtë kanë treguar se janë shumë të fortë me të fortët, por kanë vuajtur me skuadrat më të dobëta, ndaj duhet të thyejnë këtë tabu në transfertën mallakastriote. Nga ana tjetër Bylisi vijon të luajë mirë, por të mos marrë pikë dehe pozicionohet në vendin e fundit të renditjes, ndaj duhet të nisë të mendojë për rezultate, që të shmangë rënien.
Ndeshjet:
14:00 Bylis-Laçi
14:00 Tirana-Kukësi
14:00 Kastrioti-Partizani
14:00 Vllaznia-Apolonia
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




