Futboll

Projekti i ri i Champions që sfidon Superleague

Është folur shumë kohët e fundit për ndryshimet e formatit të Champions League, pasi klubet e mëdha në Evropë po “kërcënonin” UEFA dhe tani institucioni i futbollit në kontinentin tonë është hedhur në kundërsulm.

Gazeta franceze “L’Equipe”, ka zbuluar projektin e reformës në Champions, që UEFA po e përgatit për ta implementuar në sezonin 2024-2025. Ndër risitë kryesore që shfaqen në draftin për të cilin po punohet aktualisht janë rritja e numrit të ekipeve pjesëmarrëse (nga 32 në 36), rritja e numrit total të ndeshjeve (nga 125 në 255), si dhe zhdukja e grupeve në fazën e parë të kompeticionit.

UEFA planifikon të përdorë një formulë të njohur si “sistemi zviceran” për të përcaktuar ndeshjet gjatë fazës së parë, bazuar në koeficientin e saj për të gjitha skuadrat pjesëmarrëse. Një tjetër nga risitë më të mëdha të fazës së parë të kompeticionit, në të cilën të gjitha ekipet do të luajnë nga dhjetë ndeshje në vend të gjashtë ndeshjeve aktualisht, do të jetë se ndeshjet do të luhen të martën, të mërkurën dhe të enjten dhe se do të zgjasë midis muajve shtator dhe janar.

Komiteti ekzekutiv i UEFA-s planifikon ta miratojë projektin e ri të Champions-it marsin e ardhshëm. Drafti për të cilin po punohet është mjaft i avancuar dhe përfshin 36 skuadra pjesëmarrëse, të cilat do të ndahen në katër kategori, bazuar në koeficientin e tyre. Kjo do të thotë se do të ketë katër grupe të përbëra nga nëntë skuadra.

Të gjithë pjesëmarrësit do të luajnë pesë ndeshje në shtëpi dhe po aq në fushën e kundërshtarit, edhe pse për të përgatitur orarin e ndeshjeve do të merret parasysh koeficienti i më të mirit. Bayern Munich, Barcelona, ​​Juventus, Real Madrid, Atlético Madrid, Manchester City, PSG, Sevilla dhe Manchester United, aktualisht zënë nëntë pozicionet më të mira dhe do të integroheshin në grupin e parë.

Rezultatet që të gjitha ekipet arrijnë gjatë fazës së parë do të lejojnë që të hartohet një klasifikim i vetëm i përgjithshëm. Tetë më të mirët do të kualifikohen drejtpërdrejt në 16-she, ndërsa ato që zënë vendin e 9-të deri tek i 24-ti do të duhet të luajnë një ndeshje shtesë, vajtje-kthim, në mënyrë që të jenë në raundin tjetër. Nga skuadra e renditur në vendin e 25-të deri në të fundit do të eliminohen. Klubet që nuk e kalojnë këtë raund “nokauti” do të kenë akses në “Europa League”.

Shkurtimisht, për të fituar Champions-in do të jetë e nevojshme të luhen 17 deri në 19 ndeshje në vend të 13 ndeshjeve aktualisht. UEFA, gjithashtu planifikon të rezervojë dy vende çdo sezon për ato klube me një koeficient më të mirë, që nuk kanë arritur një biletë Champions-i në kampionatet e tyre përkatëse. La Liga, Premier League, Serie A dhe Bundesliga (gjermane) do të vazhdojnë të kenë nga katër vende direkte, ndërsa Ligue 1 (franceze) do të fitojë një vend shtesë. Pra, do të ketë 3 + 1 vende.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë