Futboll

Tronditet futbolli argjentinas, vret veten sulmuesi Santiago Garcia

Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin argjentinas. Sulmuesi Santiago Garcia, 30 vjeç, i ka dhënë fund jetës në apartamentin e tij në Mendoza. Futbollisti uruguaian, që prej 2016-ës luante për Godoi Kruz, sipas mediave lokale, është vetëvrarë.

Trupin e tij e kanë gjetur forcat e rendit, që janë vënë në lëvizje pas alarmit të familjarëve të futbollistit, të cilët kishin tentuar pa fund ta kontaktonin në tri ditët e fundit. Kur hynë me forcë në banesë, policët e gjetën Garcian të shtrirë në dysheme. Autoritetet lokale nuk kanë dalë ende me një njoftim zyrtar për vdekjen e futbollistit, por kanë bërë me dije se kanë gjetur një armë zjarri pranë trupit të tij të pajetë.

Uruguaiani Santiago Garcia. Gazeta Si, 6 shkurt 2021

Sulmuesi uruguaian vuante prej kohësh nga depresioni dhe për këtë arsye kishte marrë pak kohë pushim për një trajtim te psikiatri. Ndeshja e fundit e Garcias daton më 19 dhjetor të vitit të kaluar. Ai ishte formuar si futbollist te të rinjtë e Nacional Montevideos. Kishte luajtur për Atletiko Paranaense, Kasimpasha dhe River Plejtin.

Garcia ishte duke e ndërprerë kontratën me Godoi Kruz, por agjenti i tij, Daniel Fonseka, ish-lojtar i Napolit, kishte në tavolinë ofertat e disa klubeve të tjera argjentinase.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë