Futboll

Java e fundit e fazës së dytë të Superiores, vëmendja te Vllaznia-Laçi

Java e fundit e fazës së dytë të Superiores ka në fokus sfidën mes Vllaznisë e Laçit, në përplasjen e të cilëve mbajnë shpresat gjithë rivalët e tjerë. Derbi verior i gjen të dyja skuadrat në luftë për kreun, që mbahet me meritë dhe distancë prej 9 pikësh për momentin nga kuqeblutë, qysh nga fillimi i kampionatit.

Kuqeblutë në fakt pas barazimit me Partizanin, kanë shumë më tepër besim, sidomos duke patur parasysh që tashmë do ti presin kurbinasit në tempullin e tyre të futbollit. Ndërkohë, nga ana tjetër, Laçi vjen me shumë entuziazëm duke qenë se ka marrë gjashtë pikë të plota së fundmi, teksa edhe pse është 10 pikë larg Vllaznisë, një fitore mund të hapë horizonte të reja pasi në fillim të sezonit edhe ata e kanë menduar titullin.

Trajneri i shkodranëve, Thomas Brdaric, duke folur në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes me kurbinasit, nënvizoi: “Kemi shumë energji, jemi përgatitur të japim maksimumin kundër Laçit. Tri ndeshjet e fundit kanë qenë shumë pranë njëra-tjetrës, kemi shpenzuar energji, sepse edhe terrenet janë të vështira. Luajmë në shtëpi dhe shpresoj të mos ketë shi, që të zhvillojmë lojën tonë të zakonshme.

Nga ana tjetër, Shpëtim Duro e sheh Vllazninë të favorizuar në këtë përplasje, por ndoshta edhe për këtë skuadra e tij është e karikuar për të bërë goditjen në transfertë. Kryesuesit e kampionatit, për gjithçka kanë bërë deri tani, kanë avantazhin se luajnë pothuaj gjithnjë për dy rezultate kundër rivalëve direkt, pa harruar se shkodranët natyrisht janë një kundërshtar që frikëson, sidomos në shtëpi, por tekniku i kurbinasve e ka të qartë se një fitore e Lacit në Loro Borici do ti bënte një favor të gjithë kampionatit: “Për atë që kanë treguar deri tani, por pikët që kanë avantazh e që i japin siguri, por edhe statusin që ia krijon vendi i parë Vllaznia është favorite, por ne nuk shkojmë pa pretendime – tha tekniku i Laçit – . Ata kërkojnë të marrin maksimumin, ashtu si edhe ne. Të mos harrojmë se një fitore e Laçit do ti shërbente jo vetëm skuadrës sonë, por edhe Partizanit, Teutës e të gjithë pretendentëve të tjerë”.

SUPERIORE JAVA E 18

05/02/21

Vllaznia – Laçi 18 : 00

06/02/21

Bylis – Partizani 13 : 45

Tirana – Skënderbeu 13 : 45

Teuta – Apolonia 16 : 45

07/02/21

Kukësi – Kastrioti 13 : 45


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë