Futboll

Video/ Ronaldo gjunjëzon Interin në “San Siro”, Juventusi pranë finales

Derbi i Italisë mes Interit dhe Juventusit është rikthyer pas pak kohësh. Ndryshe nga sfida e kampionatit, ku Interi dominoi totalisht dhe Juventusi ishte në ditën më të errët, këtë herë, në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë, skuadra e Pirlos ka treguar forcën e saj dhe ka fituar 1-2, me një dopietë të Kristiano Ronaldos. Akti i parë është për Juventusin, që ka shanse të mëdha për të kaluar në finale pas kësaj fitoreje në “San Siro”.

Konte nuk kishte të gatshëm në këtë ndeshje Lukakun dhe Hakimin, të dy të skualifikuar. Lautaro Martinez, që si partner sulmi kishte Aleksi Sançezin, i kaloi zikaltrit në avantazh shumë shpejt, duke mposhtur Bufonin me një gjuajtje jo shumë të fortë në zonë. Juventusi barazoi me një penallti të akorduar me VAR. Ronaldo nuk mund të gabonte nga pika e bardhë, për të shënuar më pas edhe golin e dytë, pasi përfitoi nga gafa e Bastonit dhe portierit Handanoviç, të cilët u ngatërruan mes tyre.

Perisiç dhe Eriksen ishin lëvizjet e para të Kontes nga stoli, ndërsa Pirlo aktivizoi me radhë Danilon, Moratën, Arturin dhe në fund Kielinin dhe Kiezën. Bufon tregoi se nuk njeh moshë, duke e shpëtuar skuadrën nga një gol i sigurt, pas gjuajtjes së Darmian brenda zonës. Ndeshja e parë mbyllet me triumfin e Juventusit, që është me një këmbë në finale, edhe pse është edhe ndeshja e kthimit.

Kristiano Ronaldo nuk e ka pritur mirë zëvendësimin 13 minuta para fundit nga trajneri Pirlo. Fytyra e tij nuk e fshihte aspak zemërimin ndaj vendimit të trajnerit. Po ashtu, edhe Vidal nuk e ka pritur mirë ndërrimin nga trajneri Konte.

Formacionet e dy skuadrave. Gazeta Si, 2 shkurt 2021

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë