Një goleador i ri në Serinë A, por edhe goli i parë i një futbollisti kosovar në kampionatin italian. Një gëzim i dyfishtë për Vedat Muriqin, i cili vulosi fitoren e Lacios në fushën e Atalantës. Pikërisht në Bergamo, 4 ditë më parë 26-vjeçari kishte shënuar golin e parë me fanellën e Lacios.
Një gol që i dha barazimin e përkohshëm skuadrës së tij, që më pas u eliminua nga Atalanta në Kupën e Italisë. Po ashtu, një javë më parë Muriqi ishte vendimtar për kalimin e Lacios në çerekfinale, pasi goditja e tij me kokë solli autogolin e portierit Kolombi.
Të dielën Muriqi sapo kishte hyrë në fushë dhe përbënte dyshen sulmuese të Lacios me Korrean. Një dyshe që funksionoi menjëherë dhe kosovari realizoi golin e tretë, duke mbyllur ndeshjen. Ecuria e Muriqit ka qenë mjaft e vështirë gjatë gjysmës së parë të sezonit. Ai mbërriti në shtator nga Fenerbahçe për gati 20 milionë euro.
“Kam kaluar një moment të komplikuar nga Covid-19 dhe dëmtimet, nuk ishte aspak e lehtë për mua, – ka deklaruar Muriqi për “Lazio Style”. – Tani ndihem shumë mirë fizikisht. E di, duhet të punoj fort dhe të bëj më të mirën, si kur të luaj 90 minuta, ashtu edhe kur të luaj 5 minuta. Është shumë e rëndësishme të jem mirë fizikisht, të jem në 100%. Dhe kur kam pranë sulmues si Imobile dhe Korrea, gjithçka bëhet më e lehtë”. Edhe për trajnerin Inzagi tashmë është më e lehtë, ka një bomber më shumë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.