Kur luhet java e 17-të e Superiores, Vllazninë dhe Partizanin i ndajnë 9 pikë në tabelën e klasifikimit, ndaj dhe sfida e sotme mes tyre në “Elbasan Arena” ka një rëndësi të veçantë për të kuqtë. Nëse fitojnë, ata mund të hapin garën e titullit kampion, në të kundërt shkodranët fitojnë një bonus të madh në rrugën drejt trofeut.
Partizani i trajnerit Ilir Daja gëzon njës formë të mirë. Afrimet e merkatos së dimrit kanë shtuar alternativat, ndërkohë që është larguar sulmuesi kryesor, Solomon. Për Ferhan Hasanin, blerjen më të bujshme, ndoshta duhet pritur pak për ta parë në fushë, kurse Xhunior mund të ketë më shumë minuta ndaj Vllaznisë. Tomas Bërdariç mbështetet te formacioni i tij i zakonshëm, me 3 sulmues. Në këtë ndeshje shkodranëve u bën punë edhe barazimi, por me siguri ata nuk do të heqin dorë nga “formula” e tyre sulmuese. Ndeshja e fazës së parë është fituar 1-0 nga Vllaznia.
Tirana, tashmë me Orges Shehin në stol, luan sot në fushën e e Apolonisë që lufton për mbijetesë dhe pas humbjeve të Bylisit dhe Skënderbeut rival, do të përpiqet të marrë pikë. Kryeqytetasit janë favoritë dhe mendohet që ndryshimi në stol të japë efekt pozitiv, por edhe Apolonia nuk është një skuadër që mund të nënvlerësohet. Ndeshja tjetër e javës së 17-të është ajo mes Laçit dhe Teutës, një përplasje e fortë rivalësh për zonën europiane.
Superiore, java e 17-të
Sot, ora 13:45
Laçi-Teuta
Apolonia-Tirana
Ora 16:45
Partizani-Vllaznia
Dje
Skënderbeu-Kukësi 0-4
Kastrioti-Bylis 1-0
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.