Sport

Salla, qyteti më i ftohtë në Finlandë “shpall” kandidaturën për Lojërat Olimpike

Salla, qyteti i vetëshpallur më i ftohti në Finlandë, njoftoi të premten se do të “shpalli” kandidaturën për të organizuar Lojërat Olimpike verore të vitit 2032, si pjesë e një fushate për të tërhequr vëmendjen për pasojat e ngrohjes globale.

Qyteti i vogël në Rrethin Arktik, ku temperaturat shpesh bien deri në -50 gradë celsius, shpalli kandidaturën në një konferencë shtypi, duke pranuar se ishte një “ide e çmendur”, por me një mesazh serioz. “Vera po bëhet edhe më e nxehtë te ne, ndërsa dimri po shkurtohet gjithnjë e më shumë. Duhet ta mbajmë qytetin të akullt, të ftohtë dhe me borë”, thotë kryebashkiaku Erkki Parkkinen, teksa shpjegon idenë.

Edhe pse me doza të forta humori, ai thotë se gjërat janë mjaft serioze dhe Olimpiada verore 2032 mund të organizohet në Salla, nëse temperaturat vijojnë të rriten vazhdimisht. Por humori shpejt zëvendësohet nga imazhe të frikshme të një planeti në krizë, përmbytjesh, zjarresh, ngritje të nivelit të detit dhe një paralajmërim ogurzi nga Parkkinen se 2032 nuk do të jetë një pikë kthese vetëm për Salla por për të gjithë planetin.

Propozimi vjen gjithashtu me të gjitha elementet e një kandidature serioze, duke përfshirë një logo inteligjente, maskotën, uniforma dhe aktivitete promovuese.

Shqyrtimi për Olimpiadën 2032 do të nisë para vitit 2025, ku kanë shprehur interes disa qytete, si Doha, Mumbai dhe rajoni i Rinit në Gjermani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë