Futboll

Një ndeshje pezullim për Ibrën dhe Lukakun, por mund të mos mbyllet me kaq

Asnjë surprizë e pakëndshme nga Gjykatësi Sportiv për Zllatan Ibrahimoviçin dhe Romelu Lukakun, pas herrit të tyre në derbin e Kupës së Italisë. Si suedezi, i ndëshkuar me të kuq, ashtu edhe belgu, që ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, janë skualifikuar vetëm me një ndeshje.

Sulmuesi i Interit, ashtu si dhe Hakimi, do të humbë gjysmëfinalene parë me Juventusin në Kupën e Italisë. Por Prokuroria e Federatës Italiane të Futbollit mund të kërkojë edhe provën televizive për një ndëshkim të mundshëm të Ibrahimoviçit. Nga raporti i arbitrit Valeri nuk kanë dalë detaje të veçanta, që mund ta rëndonin dënimin e dy futbollistëve. Zënka verbale mes tyre u ndëshkua me nga një karton të verdhë nga arbitri.

Nuk është e thënë se gjithçka është e mbyllur me dënimin me nga një ndeshje, pasi raporti i arbitrit mund të mos jetë i plotë. Organet kompetente të Federatës Italiane mund ta thërrasin Ibrahimoviçin për të dëgjuar versionin e tij në lidhje me atë që ndodhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë