Më 4 shkurt në Lozanë dhe pas 24 orësh në Tokio, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar do të paraqesë zyrtarisht rregullat anti-Covid që do të zbatohen gjatë Lojërave Olimpike “Tokio 2020”. Rregulla që do të zbatohen nga mbi 15 mijë sportistë (olimpikë dhe paraolimpikë) dhe mijëra trajnerë, mjekë, gazetarë e staf që do t’i shoqërojnë ata. Lojërat olimpike do të nisin më 23 korrik. Lucia Montanarella, një nga zëdhënëset e shtypit të IOC, tha:
“Kemi krijuar 4 skenarë të ndryshëm për këtë Olimpiadë. Një prej tyre është i ngjashëm me atë që po kalojmë sot, me pandeminë që është ende mes nesh dhe me disa shtete që nuk janë në gjendje ta kontrollojnë dot atë.
Të gjithë ata që do të vijnë në Japoni për Olimpiadën, me shumë gjasa, do të kryejnë një periudhë karantine në vendet e tyre para se të nisen për në Japoni. Më pas, do të zhvillojnë testin në aeroportin e vendit të tyre para se të nisen dhe test menjëherë pasi të mbërrijnë Tokyo. Testet të shpeshta do të kryhen edhe në Fshatin Olimpik. ‘’Kjo është një sfidë e madhe, pasi nuk do të krijojmë një vend të sigurt për 200 sportistë, por për mijëra sportistë. Ne si IOC kemi ngritur zërin që sportistët që do të shkojnë në Olimpiadë të vaksinohen edhe pse OBSH nuk e pranon këtë gjë, pasi nuk e konsideron si një grup vulnerabël dhe që rrezikon. Ne shpresojmë të kemi edhe tifozë, pasi Japonia ka investuar shumë dhe ka nevojë për praninë e tyre.”
Qeveria japoneze, përmes zëdhënësit të saj për mediat, ka thënë se nisja e vaksinimit të popullsisë në botë nuk do të jetë një detyrim për sportistët pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Sipas Katsunobu Kato, në Olimpiadë do të lejohen edhe sportistët që nuk do të jenë të vaksinuar.
“Ne dëshirojmë një event të sigurt dhe ku sportistët të jenë të mbrojtur, por vaksinimi nuk do të jetë një kusht për praninë e tyre”, tha Kato. Ai shtoi se edhe Japonia po përgatitet për vaksinimin e popullsisë, pasi vendi aziatik ka prenotuar 290 milionë doza të vaksinës anti-Covid.
Olimpiada e planifikuar të zhvillohej verën e 2020-ës u shty për verën e këtij viti për shkak të pandemisë. Kjo solli një kosto shtesë, ndërkohë që në Fshatin Olimpik janë ngritur edhe disa qendra të specializuara në betejën ndaj koronavirus. Të gjithë pjesëmarrësit do të testohen deri në 2 herë në ditë, përfshi edhe testet e shpejta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.