Trajneri Tomas Bërdariç po dashurohet me Vllazninë dhe Shkodrën. Aventura e tij në Shqipëri po shkon në mënyrën më të mirë, skuadra që drejton kryeson bindshëm Superioren dhe shpesh trajneri ka folur me nota pozitive për atë çfarë po përjeton jo vetëm në shtypin shqiptar, por edhe atë gjerman.
Tashmë Bërdariç ka marrë te Vllaznia edhe djalin e tij, Tim. Ai luan në mbrojtje dhe fillimisht do të aktivizohet me skuadrën U-21 të Vllaznisë. Nëse gjërat shkojnë mirë, Tim Bërdariç, 1.95 m i gjatë, mund t’i bashkohet skuadrës së parë. Ai ka pasur një aktivizm në kategoritë e ulëta në Gjermani, ndërsa babai i tij mendon se në Shkodër do të ndihet mirë.
Vllaznia nuk ka bërë ndonjë afrim të rëndësishëm gjatë merkatos së dimrit. Edhe pista e ish-mesfushorit të Shpresave, Klodian Gjino, që u duk e sigurt, tashmë ka rënë poshtë. Lojtari është larguar nga Shkodra dhe drejtuesit e klubit po shohin alternativa të tjera për të forcuar skuadrën deri në fund të merkatos.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.